Florentino Perez e Andrea Agnelli vizitë në Barcelonë – vazhdojnë planet për Super League?
Largimi i Lionel Messi nga Barcelona, si pasojë e rregullave të La Liga, duket se ka irrituar edhe më shumë gjigantët e futbollit evropian.
Kushtet e vendosura me shifrat e pagave kanë konfirmuar se skuadrat e mëdha nuk do të mund të kenë lojtarët që duan dhe kjo duket si ka bërë që ata të grumbullohen menjëherë sot, në Barcelonë.
Sipas raportimeve të ‘Cadena Ser’, presidenti i skuadrës së Real Madrid, Perez dhe Andrea Agnelli, CEO i Juves, kanë arritur në qytetin e Barcelonës, përcjell Periskopi.
Bazuar në përbërjen e emrave, duket se ata do të takohen me Joan Laporta, për të rinisur projektin e madh të European Super League, i cili ndalej në gjysmë më herët.
European Super League do t’iu siguronte fonde marramendëse skuadrave që marrin pjesë dhe pasur parasysh krizën financiare, mund të shihet si rrugëdalja e vetme.
Barca dhe Real Madrid janë zyrtarisht në luftë me La Liga, sa i përket marrëveshjes me CVC. Ky takim po shihet edhe si presion ndaj Javier Tebas, sidomos pas ngjarjeve të zhvilluara dje, lidhur me Lionel Messi. Tashmë dihet se La Liga do të humb shumë edhe në shikueshmëri, pa fytyrën kryesore të futbollit, Messin. /Periskopi/