Messi – Barcelona: ‘Sekretet’ mes rreshtave që mund të rikthejnë argjentinasin në ‘Camp Nou’

Messi – Barcelona: ‘Sekretet’ mes rreshtave që mund të rikthejnë argjentinasin në ‘Camp Nou’

Bota e futbollit ka ndaluar për një moment, pas njoftimit të Barcelonës se Lionel Messi nuk është më lojtar i tyre.

Messi ka zënë vendin kryesor nëpër ballinat e gjithë medieve botërore, kur pas 18 viteve karrierë me Barcelonën u njoftua se lojtari nuk do të vazhdojë kontratën e tij, për arsye të ndryshme.

Por, nga njoftimi i Barcelonës dhe faktet rrethanore, duket sikur akoma ekziston një mundësi që Leo të kthehet në ‘Camp Nou’, për  të vazhduar karrierën e tij.

Ajo çfarë është raportuar dje nga mediet spanjolle dhe është konfirmuar më vonë nga faqja zyrtare e Barcelonës, është vetëm një konfirmim i një situate që është valide që kur lojtari mbeti pa kontratë (muaj më parë), shkruan Periskopi. Pra, Messi nuk është lojtar i Barcelonës për një kohë më të gjatë sesa dje. Ai madje fitoi edhe Kupën e Amerikës si lojtar i lirë.

Interesant është edhe fakti se në njoftimin zyrtar të Barcelonës thuhet se marrëveshja mes Barcës dhe Messit veçse është arritur, por nuk mund të finalizohet për shkaqe të tjera – shkaqe këto që mund të ndryshohen potencialisht – siç është problemi i pagave.

Javier Tebas, presidenti i La Liga, pritet akoma që të dal në një konferencë për shtyp, për të folur rreth largimit të Leos, një largim që mund t’i sjell humbje të mëdha ligës spanjolle, sidomos në kohën kur Premier League po bën gjithçka për të pasur primatin.

Lëvizja e Barcelonës për të konfirmuar dje atë që ka ndodhur muaj më parë (pra faktin që Leo është lojtar i lirë), nga mediet spanjolle po shihet si një presion ndaj kreut të La Liga, për të shtyrë limitin e pagave për klubet. Kësisoj, Barca do të mund të regjistronte edhe lojtarë si Sergio Aguero, Memphis Depay e Emerson Royal – të gjithë këta në pamundësi për të nënshkruar, njësoj sikur argjentinasi.

Kjo teori mund të nxitet edhe më shumë nga komunikatat zyrtare të Real Madrid dhe Barcelona mbrëmë, duke  refuzuar marrëveshjen e La Liga me CVC, marrëveshje që humb miliarda euro edhe për ligën.

Gjithsesi, vendimtare për situatën do të jetë edhe paraqitja e Joan Laporta në konferencë për medie gjatë ditës së sotme (pritet të jetë në ora 11:00). Messi zyrtarisht është lojtar i lirë, por mundësia ekziston që ai të rikthehet te Barca.

Lojtari më i mirë në botë raportohet se është në gjendje të rëndë emocionale, pasi vet besonte se gjithçka ishte e kryer sa i përket rinovimit. Ai, sipas ‘Rac1’ pret që situata të përmbyset. Disa burime të tjera thonë se kontaktet me PSG kanë filluar, por disa thonë se Messi është në pritje. Mundësia për kthim ekziston, por mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata në aspektin praktik. /Periskopi/

Shpërndaje në: