Propozohet formimi i Ligës U21 në Kosovë
Futbollit të Kosovës së shpejti mund t’i shtohet një tjetër nivel i garave.
Bëhet fjalë për Ligën U21, propozim i cili tashmë është zyrtarizuar nga këshilltari profesional i FFK-së, Ajet Shosholli, në koordinim me Bordin e Shoqatës së Trajnerëve dhe kryetarin e saj, Muharrem Sahiti.
Trajneri i mirënjohur Ajet Shosholli, për faqen zyrtare të FFK-së e ka sqaruar propozimin e tij, duke thënë se formimi i kësaj lige është i domosdoshëm, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat po ballafaqohen lojtarët e rinj, të cilët pas skadimit të mundësisë për të luajtur në ekipet U19, po gjenden në situatë të pa-lakmueshme dhe shumë prej tyre edhe po heqin dorë nga vazhdimi i karrierës si futbollistë.
“Për këtë arsye, ne e shohim të domosdoshme krijimin e Ligës U21, e cila do t’ia mundësonte këtyre lojtarëve vazhdimësinë e punës dhe garave. Ky është një lloj modeli të cilin e praktikojnë edhe vendet e tjera evropiane, të cilat garojnë me ekipet B”.
“Normalisht se pjesëmarrja në një ligë të tillë nuk do të jetë obliguese, por rekomandohet për ato klube që i kanë kushtet më të mira dhe që kanë numër të madh të lojtarëve, e të cilët e kanë të vështirë të gjejnë vend në ekipin e parë”, ka thënë strategu i futbollit kosovar, Ajet Shosholli.
Në futbollin tonë krahas garave të ekipeve të seniorëve organizohen gara në nivel kombëtar edhe në grupmoshat nën 17-vjeç dhe nën 19-vjeç në konkurrencën e meshkujve, si dhe garat nën 17-vjeç në konkurrencën e femrave, derisa në regjione organizohen garat në të gjitha grupmoshat më të ulëta.