VAR në kohë rekord vjen në Kosovë: Përveç Kroacisë, ende askush nuk e ka në Ballkan

VAR në kohë rekord vjen në Kosovë: Përveç Kroacisë, ende askush nuk e ka në Ballkan

Nëse lajmërimi i fundit i Federatës së Futbollit të Kosovës është për t’u zbërthyer, atëherë do të faleshim po të supozonim se VAR do ta fillojë implementimin në Superligën e Kosovës nga edicioni i ri.

Të premten, FFK dërgoi në ekstazë fansat e futbollit kosovar, duke publikuar një video të shkurtër por jashtëzakonisht domethënëse, shkruan Periskopi.

Në videon e cila zgjatë vetëm tetë sekonda, krejt çka shohim është ‘VARKosova’ dhe ‘së shpejti’.

Nëse deri tash nuk kemi pasur arsye të jemi të ngazëllyer, atëherë padyshim se ky është momenti kur edhe ‘zyrtarisht’ na është dhënë drita e gjelbër që ta planifikojmë jetën me VAR në futbollin kosovar.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë zhvillim, është padyshim koha rekorde e implementimit të teknologjisë.

Pavarësisht se ende nuk ka ndonjë datë zyrtare, pas këtij postimi nga FFK, nuk mund ta paramendojmë ndonjë skenar ku kjo teknologji do të vonohet edhe shumë.

Shqipëria ka filluar të përgatitet për këtë sistem që nga viti 2019 dhe tek nga edicioni 2021/22 do të fillojë përdorimin.

Vërtetë do të ishte sukses i madh për Superligën e Kosovës dhe FFK-në, nëse VAR fillon aplikimin qysh këtë fushatë, marrë parasysh periudhën testuese dhe vonesat e tjera me të cilat janë përballur vendet evropiane dhe jo vetëm, derisa kanë filluar ta aplikojnë sistemin.

Në fakt, Kosova duket se do të jetë vetëm vendi i dytë në Ballkan – së bashku me Shqipërinë – që do ta ketë VAR, pas Kroacisë.

Po, e dëgjuat drejtë – Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia dhe Sllovenia ende nuk e kanë një sistem të tillë në përdorim. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: