“Në Pejë, Istog, Klinë dhe Junik – uji është i pijshëm”, njofton KRU ‘Hidrodrini’
Zyra rajonale për Media e KRU ‘Hidrodrini’ në Pejë, pasdite ka dalë me një komunikatë shtesë, ku sqarohet se gjendja me ujë në komunat tjera të zonës së mbulueshmërisë, Pejë, Istog, Klinë dhe Junik është në rregull dhe se asgjë nuk ndërlidhet me rastin e fshatrave të Deçanit.
“KRU ‘Hidrodrini’-Pejë njofton opinionin dhe konsumatorët, se uji, në komunat; Pejë, Istog, Klinë dhe Junik është i pijshëm dhe plotëson të gjitha standardet e verifikuara nga IKSHPK.”-thuhet mes tjerash në komunikatë.
Komunikata e plotë
Në Pejë, Istog, Klinë dhe Junik – uji është i pijshëm
Të nderuar konsumatorë, pas shfaqjes së problemeve shëndetësore me banorë të fshatrave të Deçanit e ku fillimisht u dyshua se uji i pijes mund të ishte faktorë helmimi, tashmë kanë filluar të shpërndahen informata të pasakta për komuna të tjera të zonës tonë të mbulueshmërisë.
Andaj, me këtë rast, KRU ‘Hidrodrini’-Pejë
Njofton opinionin dhe konsumatorët, se uji, në komunat; Pejë, Istog, Klinë dhe Junik është i pijshëm dhe plotëson të gjitha standardet e verifikuara nga IKSHPK.
Pra, informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit, është shqetësim i lokalizuar në vete dhe siç dihet, të gjitha mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje në shërbim të përmirësimit të shëndetit qytetarë.
Lusim qytetarët, të mos bien pre e asnjë informate të pa verifikuar. Të gjitha informacionet e sakta, në kohë reale, do të ndahen me publikun, në faqen tonë zyrtare këtu dhe në media.