Dikush na dërgoi një këngë të titulluar ‘Uh Bebe’ dhe është thjesht gjëja më e mirë që kemi dëgjuar tërë ditën
Pas një periudhe të gjatë vuajtje nga muzika jo kualitative, duket se më në fund kemi gjetur diçka të cilën mund ta dëgjojmë larg horizontit të ‘cringit’.
Sinqerisht është shumë e vështirë dhe aspak simpatike të kritikohet gjithçka, por estrada jonë thjesht ka performuar ‘bërllok’ me një konsistencë të paparë deri më tash, shkruan Periskopi.
Sidoqoftë, një ‘diamant’ i fshehur në YouTube na ka bërë të rikthejmë besimin në hip-hopin e mirëfilltë kosovar.
Nuk dimë asgjë për ta. Nuk i kemi parë, as nuk i kemi dëgjuar asnjëherë më herët, askush në Redaksinë tonë nuk e ka shok ndonjërin prej tyre për ata që po mendojnë se po bëjmë reklamë ‘bias’, por artistët me nofkat ‘Grizzly’ dhe ‘Dako’ e kanë goditur në shenjë atë pikën e kuqe milimetrike që e kemi në vesh, e që është shumë e vështirë të preket nga ndokush, nëse ajo që sjellë nuk është absolutisht top klas.
‘Uh Bebe’ titullohet kjo këngë, e cila të themi të drejtën nuk e kemi shumë të qartë si na erdhi në vëmendje. Ndoshta, ndonjëri nga gazetarët e Redaksisë e ka klikuar pa dashje duke kërkuar materiale të tjera, apo ndoshta versioni autoplay i YouTube na e solli në pah pa e pasur idenë se do të ishte ajo që po e kërkonim tash e sa kohë.
Beati është absolutisht flakë, teksa sfondi dhe zëri i performuesit të versit të parë bashkëveprojnë në mënyrë brilante, duke na sjellur në vesh një ‘sound’ thjesht perfekt, me të cilin është e pamundur të shpëtosh pa e lëvizur kokën poshtë-lartë.
E dëgjuam me pufje, por imagjinoni nëse DJ-at tanë do të vendosnin që për një natë t’i thonin ‘jo’ bërllokut dhe ta lëshonin këtë në ndonjë klub nate, apo kafiteri, pasi këto të parat aktualisht nuk janë në sistem…
Stop substancave narkotike dhe – fëmijë – asnjëherë, kurrë në jetë, mos e provoni në shtëpi, por vargjet ‘uh bebe, merre merre ti do k*k’ që janë pjesë e refrenit, të nguliten në kokë dhe të bëjnë të kërkojnë më shumë nga ajo që po thuhet.
‘Fllow’ dhe ‘Delivery’ janë absolutisht në pikë, teksa të dy artistët ndryshojnë çasjen në ‘beat’, pasi në këtë të fundit shtohen disa elemente pianoje, apo çfarëdo instrumenti që mund të jetë (kërkojmë falje nëse ia huqim, nuk jemi producentë).
Sidoqoftë, për ata që vazhdimisht na kanë shkruar komente si ‘çka është mirë për ju që po i shani krejt’, më në fund e kanë përgjigjen.
Ja, kjo më poshtë. Është publikuar më 20 qershor të vitit 2020 dhe ka vetëm 3,1462 klikime deri në kohën kur po e shkruajmë këtë, por ishin absolutisht 2 minutat e 33 sekondat më të mirë të ditës. ‘Grizzly’ dhe ‘Dako’, kështu bëhet djelmosha. /Periskopi.com/