Bërllok mbi bërllok: E pamundur të mos ‘vjellësh’ pasi ta dëgjosh këngën e re të S4MM

Bërllok mbi bërllok: E pamundur të mos ‘vjellësh’ pasi ta dëgjosh këngën e re të S4MM

Muzika bërllok po vjen me sasi absolutisht të jashtëzakonshme nga estrada jonë.

Sikur të kishim një makineri matëse të bërllokut që vjen për çdo verë nga estrada jonë, atëherë do të kishim një nënvizim të gjendjes reale, e cila është thjesht alarmante.

Do ta vlerësonim shumë nëse ky bërllok, me që qenka e pamundur të evitohet plotësisht, të na vijë për 12 muaj të vitit, jo vetëm për 3-4 muaj të verës. Kjo pasi ndotja e vazhdueshme artistike po na shkakton dëme të jashtëzakonshme shpirtërore dhe fizike, shkruan Periskopi.

Në momentin e parë kur e lexuam titullin e këngës së re të reperit në thonjëza, S4MM, ‘Habibi’, e dinim se një valë e re e bërllokut sapo u shpërnda nëpër audiencë.

Seriozisht, njeri… ‘Habibi’ vendose t’ia lësh titullin këngës? A nuk është shprehja më e tmerrshme, më ‘outdated’ dhe më neveritëse që ke dëgjuar ndonjëherë?

‘Sytë i shkëlqejnë kur e thirri Habibi, zemrën ma ka falë. Dashnia jonë shumë e fortë si Khabibi, frymën ma ka nalë,’ thotë zotëriu në vargjet e para.

E dëgjuam metaforën me Khabibin i nderuari S4MM njëherë te kënga e Feros me Genta Ismajlin… a aq keq e ke gjendjen me kreativitet dhe krijimin e disa rimave, sa që ke shkuar deri në atë pikë sa të kopjoni nga rivali juaj i përbetuar? Oh Zot i madh.

Këta kanë shkelur çdo rregull të mundshëm të asaj çka reprezenton kultura e hip-hopit. Thjesht s’ka më asgjë rëndësi.

Sidoqoftë, tmerri më i madh vjen kur ai fillon t’i përfshijë në këngën e tij vargje nga kënga e famshme e Kevin Lyttle, ‘Turn Me On’ – më ‘cringe’ se kaq vështirë se do të dëgjojmë diçka këto kohë, ose të paktën deri në këngën e radhës të dikujt tjetër të estradës që është i fiksuar pas bërllokut.

Harroni për një moment vargjet katastrofale, vetëm analizoni veshjen e tij… Oh Zot i madh, duks me kapele prapa. Je nisur për market, apo në furrë buke? Sinqerisht, plako, thjesht e tmerrshme.

Kujtojmë se i njëjti, pra S4MM, në një këngë të quajtur ‘EAGLE’ më 2017, ishte shprehur: ”Ika se m’pret mu detyra, komercin s’ma len natyra e fytyra.”

Kjo duket se u vjetërsua shpejt. Kush e kishte menduar se ai pas vetëm tri viteve do ta publikonte një këngë me emrin ‘Habibi’, për të dalë kokë e këmbë në kundërshtim me veten. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: