Klipi i ri i Loredanës dhe Mozzikut tregon anën e errët të estradës: Ekspozojnë fëmijët për klikime
Mozzik dhe Loredana kanë qenë një prej çifteve të cilët thjesht na janë imponuar në jetët tona, pavarësisht se një pjesë prej nesh nuk kishte kurrfarë interesi të përfshihej në dramat dhe përditshmërinë e tyre të fokusuar më shumë në marketing, se në diçka tjetër.
Nuk kalonte ditë e as natë pa dëgjuar të paktën një herë rreth dramave familjare të tyre, teksa gazetarët e shikonin si mundësi të artë për të ngritur aktivitetin e popullit nëpër rrjete sociale, duke raportuar mbi të bëmat e tyre patetike, dëshpëruese për vëmendje.
Sigurisht, gishti i fajit më së lehti u drejtohet gazetarëve dhe medieve, të cilat nuk rreshten së kritikuari me komente nga më brutalet nëpër rrjetet sociale sa herë që shkruajnë diçka rreth atyre për të cilët masa nuk ka simpati, por është e etur të dëgjojë ndonjë lajm, e pastaj ta urrejë atë.
Ndoshta është paksa frustruese për lexuesit t’u thuhet troç një gjë e tillë, por është koha që edhe vetë njerëzit të marrin përgjegjësi rreth atyre çka lexojnë e çka kërkojnë të lexojnë, por edhe rreth atyre që thellë në zemër dëshirojnë ta dëgjojnë, por – për shkak të trendit që është shndrruar si diçka ‘cool’ për t’i urryer gazetat – mundohen ta demigrojnë e ta kthejnë në banalitet me ndonjë koment fyes lajmin, teksa zhgënjimi i tyre më i madh do të ishte nëse ajo gazetë do të ndalte së shkruari për njerëzit për të cilët ata thonë se nuk ia vlen të shkruhen lajme.
Është shumë e thjeshtë, nëse nuk klikohet dhe nuk lexohet, asnjë medium nuk do të shkruante as nuk do të raportonte rreth saj apo tij. Është pikërisht masa ajo që e dikton tempon e aktivitetit dhe raportimit të medieve – mos e klikoni, mos shprehni interesim, ne nuk shkruajmë gjëra të cilat mund të duken nonsens.
Kur flasim për klikimet dhe marketingun, vërtetë duhet thënë se gazetat janë larg më pak të fiksuara rreth tyre se estrada kosovare, e cila ka filluar të dalë përtej kufijve.
Kënga e re e Loredanës dhe Mozzikut është dëshmia më e mirë që tregon sa larg mund të shkojë dikush për ta mbajtur veten relevant. Martesë, divorc, fëmijë, lidhje me dikë tjetër dhe pastaj rikthim për të bërë këngë përsëri dhe për ta shfrytëzuar atë për të marrë vëmendje edhe më të madhe, e cila pastaj kur kthehet në para është ‘parajsë’ materiale për ta.
Ata janë aq të fiksuar që ta mjelin sa më shumë masën me një projekt, sa që nuk e kanë problem ta fusin në klip fëmijët e tyre, siç bën këtë dy të fundit. Në klipin e tyre të ri shfaqet vajza e tyre, si element final për ta obsesuar audiencën deri në atë pikë që ta gjejnë të pamundur të mos klikojnë.
Imagjinoni, këta janë të njëjtit që pastaj kur pyeten nga gazetarët rreth ndarjes ose rreth dramave të tyre tjera, ata thonë ‘është jeta jonë private dhe nuk flasim në publik për këso gjëra,’ apo ashtu diçka të tillë, ndërkohë nuk rreshtin së postuari ndodhitë mes tyre nëpër rrjetet sociale e duke bërë këngë, tipik si tinejxherë të llastuar. /Periskopi.com/