Kush shkoi në Evropë e kush ra nga liga, ja çfarë ndodhi në xhiron e fundit të La Ligas

Kush shkoi në Evropë e kush ra nga liga, ja çfarë ndodhi në xhiron e fundit të La Ligas

La Liga nga dje ka një kampion të ri. Atletico Madridi ka trumfuar në Spanjë duke e fituar titullin e 11-të në histori. Luis Suarez pati impaktin më të madh në këtë sukses të ekipit të Simeones duke ndihmuar me 21 gola dhe duke shënuar në pikat vendimtare.

Pas Atletico Madridit, në vendin e dytë u rendit edhe ekipi tjetër madrilen, Reali që luftoi deri në xhiron e fundit për titull. “Los Blancos” siguruan pjesëmarrjen në Champions League së bashku me kampionin Atleticon dhe Barcelonën e Sevillan.

Në Evropa Ligë në xhiron e fundit kualifikimin e siguruan Real Sociedadi dhe Real Betisi. Villareali nuk arriti të kualifikohej në garën e dytë më prestigjioze evropiane për klube, por do të bëjë gara në eventin më të ri të UEFA-s, Conference League.

Në anën tjetër, lufta për mbijetesë ishte e hapur deri në xhiron e fundit. Në fund, Eibar, Valladolid dhe Huesca mbetën në tri pozitat e fundit dhe nga edicioni i ardhshëm do të bëjnë gara një rang më poshtë. Elche me fitoren e djeshme ndaj Athletic Bilbaos siguroi mbijetesën edhe pse ishte në zonën e rrezikshme para kësaj xhiroje.

La Liga ende nuk e ka përmbyllur krejtësisht edicionin 2020/21. Sot do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera, por do të jenë vetëm sa për statistika, pasi që asnjë ekip nuk ka ndonjë objektiv për të arritur. Granada e pret Getafen, kurse Sevilla do të jetë nikoqir i Alavesit.

 

Shpërndaje në: