Fundi i sezoneve: Periskopi shpall lojtarin më të mirë kosovar të sezonit 2020/21

Fundi i sezoneve: Periskopi shpall lojtarin më të mirë kosovar të sezonit 2020/21

Ky ishte një sezon për t’u harruar për gati të gjithë lojtarët e Kosovës në ekipet ku luajnë në Evropë. Disa ishin të lënduar, disa humbën vendin në formacione e disa të tjerëve thjesht nuk iu shkrepte. Por, cili ishte më i miri?

Më së shumti pritej pa dyshim nga treshja Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani. I pari dhe i treti e gjetën veten në ekipe rivale në Serie A, por vuajtën shumë për minuta dhe formë të mirë te Lazio dhe Napoli respektivisht. Ndërkohë që i dyti vuajti një lëndim të gjatë, e më pas edhe një formë të keqe ekipore.

Sidoqoftë, as të tjerët që luajtën mirë. Më poshtë mund t’i shihni notat vjetore të lojtarëve kryesorë të Kombëtares së Kosovës në ekipet e tyre.

Vedat Muriqi i ka bërë 26 ndeshje në Serie A këtë sezon, por e ka shënuar vetëm një gol, aq sa ka shënuar edhe portieri Alisson Becker i Liverpoolit. Ai pritet që të ndërrojë ekip pas këtij sezoni dëshpërues. Nota vjetore: 3/10.

Napoli është shumë afër që të sigurojë një vend në Champions League, dhe Amir Rrahmani ka arritur të nxjerrë diçka nga suksesi i këtij ekipi. Megjithëse nuk kishte luajtur për asnjë minutë të vetëm në gjysmën e parë të sezonit, kapiteni i Kosovës ka siguruar tashmë 15 ndeshje te ekipi i madh italian. Nota vjetore: 4/10.

Ndoshta nuk mund ta besoni por është e vërtetë: Mërgim Vojvoda ka shkallë më të lartë të golave të shënuar në Serie A se sa Vedat Muriqi. Mbojtësi i djathtë i Kosovës ka luajtur 23 herë për Torinon në Serie A këtë sezon dhe i ka shënuar 2 gola, që të dy në javët e fundit. Ai pritet të ketë të ardhme të bujshme në këtë ekip që ka siguruar ekzistencën në elitën italiane. Nota vjetore: 6/10.

Vojvoda është “Dardani i Vitit” 2020/2021

Milot Rashica ka luajtur sivjet 23 herë në Bundesligën e Gjermanisë dhe i ka shënuar vetëm dy gola, njëri prej të cilëve ishte nga penaltia. Ylli ynë nga Vushtrria ishte afër të siguronte një transferim të bujshëm te Leipzigu, dhe duket se ekipi aktual Werder Bremen nuk e mirëpriti vendimin e tij dhe i dha më pak minuta. Por, as forma e tij nuk ka qenë si e një sezoni më parë. Nota vjetore: 2/10.

Baseli ka përfunduar sezonin në pozitën e dytë në Zvicër me gati 30 pikë larg vendit të parë. Sidoqoftë, Edon Zhegrova arriti hapa përpara në karrierë duke shënuar 5 gola në 29 ndeshjet e këtij ekipi. Nota vjetore: 5/10.

Fidan Aliti ka bërë mestarisht mirë këtë sezon, pasi që ka qenë titullar te Zurichu në Zvicër duke luajtur 31 herë dhe duke e shënuar një gol. Nota vjetore: 5/10.

Dy bashkëlojtarët e tij te ky ekip janë edhe dy bashkëlojtarët e tij te Kosova. Benjamin Kololli ka luajtur 20 ndeshje dhe i ka shënuar pesë gola për ekipin e Zurichut. Nota vjetore: 4/10.

28 vjeçari Hekuran Kryeziu ka humbur hapin për të arritur shkallë më të lart në karrierë. Ai te Zurichu këtë sezon luajti 26 herë dhe nuk shënoi gol. Nota vjetore: 3/10.

Ibrahim Dresheviq është stabilizuar në formacionin e parë të skuadrës elitare holandeze Heerenveen. Ai ka luajtur 30 ndeshje nga 34 të mundshme për ekipin e tij. Nota vjetore: 5/10.

Më në fund, edhe Aro Muric ka arritur të luajë pak futboll në garat evropiane. Ai ka luajtur 14 ndeshje për Willem II në Holandë pas huazimit që i bëri Manchester City. Ai ishte goxha vendimtar në sigurimin e statusit elitar të këtij ekipi. Nota vjetore: 5/10.

Dijoni i Bersant Celinës do të bie nga Ligue 1 e Francës në një rang më poshtë pas një sezoni të turpshëm ku mbetën autsajderë. Por, edhe Celina pati paraqitje mjaft të dobëta duke mos shënuar asnjëherë të vetme në 31 ndeshje. Nuk dihet nëse ai do të vazhdojë me Dijonin në Ligue 2, e që do të ishte një zbritje e madhe për një talent të madh të Kosovës. Nota vjetore: 1/10.

Reimsi për fat të mirë nuk ka rënë nga liga, por Arbër Zeneli e Valon Berisha kanë qenë vetëm lojtarë margjinalë në këtë sukses. Arbëri ka luajtur 27 herë për ekipin e tij në Francë dhe i ka shënuar 3 gola, ndërsa Valon Berisha ka luajtur 24 herë pa shënuar gol. Arbër Zeneli, Nota vjetore: 3/10. Valon Berisha, Nota vjetore: 4/10.

Shpërndaje në: