Çfarë u ndodh trupave të astronautëve pasi kthehen nga hapësira
Hapësira ka qenë gjithnjë “joshëse” për t’u eksploruar dhe me të njëjtin pasion që astronautët hulumtojnë hapësirën, studiuesit në Tokë hulumtojnë efektet e fluturimeve të gjata hapësinore. Çfarë ka u ka ndodhur trupave të astronautëve pasi janë kthyer në Tokë?
Dëmtimi i ADN-së
Rrezatimi jonizues është shqetësimi kryesor për astronautët sepse mund të dëmtojë ADN-në dhe molekulat e tjera në trup.
“Rrezatimi nuk është një problem i tillë gjatë misionit, por frika është se astronautët mund të kenë nivele më të larta të kancerit pas misionit”, thotë Alan Hargens, një profesor dhe drejtor i Laboratorit të Fiziologjisë Klinike Ortopedike në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.
Në hapësirë, rrezatimi jonizues vjen nga shpërthimet diellore dhe rrezet kozmike. Ai është gjithashtu i pranishëm në Tokë, i emetuar në sasi më të vogla nga materialet radioaktive. Fusha magnetike dhe atmosfera e Tokës i mbron njerëzit nga rrezatimi jonizues. Por teksa astronautët i largohen Tokës, kjo mbrojtje zvogëlohet.
Aftësitë konjitive (njohëse)
Studiuesit u janë referuar dy vëllezërve binjakë, Scott dhe Mark Kelly. Scott ka kaluar një vit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, ndërsa vëllai i tij qëndroi në Tokë. Ata iu nënshtruan disa testeve. Teksa ndodhej në hapësirë, shpejtësia dhe saktësia e Scott ishin të ngjashme me performancën e të vëllait.
Por pas kthimit, shpejtësia dhe saktësia e tij u ulën në shumicën e testeve. Ky efekt zgjati shumë pak, për afro 6 muaj dhe më pas gjendja e tij u përmirësua. Në thelb, nuk mbetet një problem shqetësues, por lë vend për hulumtime të mëtejshme.
Problemet e shikimit
Nga rreth 300 astronautë të anketuar, 29% që përfunduan misione me kohë të shkurtër dhe 60% që bënë misione me kohë të gjatë raportuan probleme me shikimin.
Shkencëtarët nuk e dinë saktësisht se si zhvillohet kjo gjendje, e njohur si sindroma neuro-okulare e lidhur me fluturimet hapësinore. Ka të ngjarë të jetë për shkak të zhvendosjes së lëngjeve të trupit drejt kokës si pasojë e mungesës së peshës.
Ndryshimi i masës muskulore dhe funksionit kardio
Fluturimi hapësinor me kohë të gjatë shkakton ndryshime të ngjashme me mungesën e aktivitetit fizik në Tokë.
“Ndryshime të rëndësishme te frymëmarrja, masa dhe funksioni muskulor dhe kardiovaskular dihet se ndodhin pas fluturimit hapësinor,” tha Carl Ade, një profesor asistent i fiziologjisë së ushtrimeve në Universitetin Shtetëror të Kansas në Manhattan, Kansas.
Astronautët mund të jenë në gjendje të minimizojnë këto efekte me dieta speciale, ilaçe dhe ushtrime. Studiuesit po kërkojnë gjithashtu mënyra për të simuluar gravitetin gjatë stërvitjes – për t’i dhënë trupit një stërvitje të plotë.