Jo Negociata, Vetëvendosje: Si po e shohin përkrahësit e Albin Kurtit, vizitën e tij në Bruksel?

Jo Negociata, Vetëvendosje: Si po e shohin përkrahësit e Albin Kurtit, vizitën e tij në Bruksel?

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një mori vizitash në Bruksel me zyrtarë të ndryshëm të lartë. Ai refuzoi takimin me presidentin serb Aleksandër Vuçiq ditën e djeshme, por la të hapur mundësinë për drekë apo darkë pune në mes të majit me të dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Por, si po e komentojnë përkrahësit e tij këtë lajm?

Kurti ka ndryshuar në heshtje një varg qëndrimesh të ndryshme politike, të cilat dikur i shprehte me shumë fanatizëm.

Përkundër që, kryeministri e ka thënë publikisht se nuk do të takohet me Vuçiqin pa kërkuar falje për krimet e luftës dhe pa bërë dëmshpërblimet për dëmet e luftës, kjo tashmë po publikisht është lënë e hapur.

Lajmi i djeshëm ishte refuzimi i takimit të 11 majit me presidentin serb, dhe kjo për arsye procedurale. Ai tha se nuk mund të merrte pjesë në një takim ku nuk e kishte konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen. Sidoqoftë, përmendi se ishte i gatshëm të takohej në mes të majit për drekë apo darkë pune.

Në fakt, gatishmëria e Kurtit për takim me Vuçiqin përkundër qëndrimit tejet armiqësor të shtetit serb ndaj Kosovës nuk u bë fare lajm në mediat vendore dhe nuk u kritikua fare nga mbështetësit e Kurtit.

Këta të fundit, që duket se nuk e mbështesin Kurtin për qëndrimet që ka shprehur por për ndonjë tipar të personalitetit të tij, në fakt përmendën qëndrimin e tij refuzues për arsye procedurale të takimit të 11 majit.

Këshilltari politik i kryeministrit në Qeverinë Kurti I, Driton Tali, ka thënë që “nuk ka patronizim e as intimidim të Kosovës! Ata që i keni patronizu dhe intimidu nuk janë më.”

Ai shton se “do të negociojmë patjetër, por jo në avazin e vjetër.”

Në anën tjetër, avokati i njohur dhe analisti i VV-së, Tomë Gashi ka shkuar edhe më larg duke bërë një fotomontazh ku shihen Hoti me Vuçiqin, dhe ku paraqitet Albin Kurti derisa ecë pa i shikuar asnjërin e as tjetrin (Shih më poshtë). Por, Kurti i asaj fotografie është marrë nga një ecje tjetër që ai po e bënte në oborrin e Qeverisë së Kosovës, dhe jo në korridoret e Brukselit.

“Nuk ka ma razumesh serbski!”- ka shkruar z. Gashi, përcjell Periskopi.

Në grupin “meKryeministrin” që ka 329 mijë anëtarë prezentë ka shpërthyer një festë e paparë me shumë postime që lavdërojnë kryeministrin dhe që e shohin si “mos-nënshtrim” refuzimin që ai të merrte pjesë me Vuçiqin.

Asnjëri prej tyre nuk ka përmendur se Kurti ende nuk ka vendosur masën e Reciprocitetit ndaj Serbisë, e për të cilën masë ishte prishur Qeveria Kurti I.

 

Shpërndaje në: