Vazhdon dhuna në futbollin kosovar, fansi futet në fushë dhe sulmon gjyqtarin – futbollisti përfundon në spital
Ndeshja mes Ferizajt dhe Ulpianës është ndaluar, pasi shpërtheu dhuna në minutën e 95-të, kur një fans ferizajas u fut në fushë dhe sulmoi gjyqtarin kryesor të takimit, Petrit Rama, sipas ‘Sheshi’.
E gjithë situata ka ndodhur në një tollovi të krijuar në minutën e pestë shtesë, teksa ambullanta dhe stafi mjekësor i dy skuadrave janë futur në fushën e lojës për t’i dhënë ndihmën e parë një futbollisti të Ferizajt.
Në këtë situatë, një tifoz ka kaluar rrethojat e fushës dhe është futur për ta sulmuar direkt gjyqtarin kryesor të këtij takimi, Petrit Ramën, i cili nuk e kishte ndalur lojën kur futbollisti i Ferizajt ndodhej në gjendje kritike për jetë.
Pas gjithë kësaj tollovie, gjyqtari Rama e ka mbyllur ndeshjen me ‘bilbilin’ e tij, ndërkohë që tollovia ka vazhduar edhe më pas.
Është dashur edhe intervenimi i Policisë së Kosovës për ta qetësuar situatën, e cila kishte agravuar në masë të madhe.
Futbollisti i Ferizajt aktualisht ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast po e merr ndihmën e parë.