Shoqata e Gazetarëve e dënon gjuhën e Batatinës, i thotë FFK-së të marrë masa ndaj tij
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës [AGK] ka dënuar gjuhën e përdorur në një emision të mbrëmshëm të trajnerit Tahir Batatina ndaj gazetares Qëndresa Krelani.
AGK e ka cilësuar si “seksiste” gjuhën e përdorur nga z. Batatina, derisa i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit që të marrë masa ndaj tij.
“Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…” – ishin disa prej komenteve të cituara nga AGK, përcjell Periskopi.
Batatina me znj. Krelani u përleshën mbrëmë pas sulmeve të kësaj të fundit ndaj punës së tij si kryetrajner.
Reagimi i plotë:
AGK: FFK të merr masa ndaj gjuhës seksiste të Tahir Batatinës në drejtim të gazetares Qendresa Krelani
PRISHTINË, 12.04.2021- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shprehet tejet i shqetësuar me gjuhën seksiste dhe fyese të trajnerit të futbollit, Tahir Batatina, në drejtim të gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani.
Batatina gjatë një emisioni televiziv i është drejtuar gazetares me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”
Gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme. Për AGK-në, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato.
AGK-ja gjithashtu kërkon nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë.