Reperi DMX vdiq sot, ja momenti kur ai kërcente vallen shqiptare (Video)
Reperi i njohur, DMX është ndarë nga jeta në moshën 50-vjeçare.
Këtë lajm e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.
“Ne jemi shumë të pikëlluar të njoftojmë sot se i dashuri ynë, DMX, emri i të cilit është Earl Simmons, vdiq në moshën 50-vjeçare në Spitalin White Plains”, thuhej në njoftimin e tyre.
Ai ishte shtruar në spital që nga java e kaluar kur pësoi sulm në zemër në shtëpinë e tij në New York.
Qindra persona thuhet se u mblodhën të hënën për t’u lutur dhe për të ofruar mbështetje për DMX, ndërsa ai mbetej i shtruar në spital pas një sulmi në zemër që pësoi të premten.
“News 12” raportoi se rreth 500 njerëz u mblodhën jashtë White Plains, në Nju Jork, spitalin ku reperi po trajtohej.
Avokati i tij, Murray Richman, konfirmoi për CNN të dielën se DMX kishte pësuar një sulm në zemër rreth orës 11:00 të premten në shtëpinë e tij në White Plains dhe u dërgua me anë të ambulancës në një spital lokal.
Ai shtoi se ai nuk e dinte se çfarë mund të ketë bërë që reperi të ketë pasur një sulm në zemër.
DMX, emri i vërtetë i të cilit është Earl Simmons, u fut në skenën e repit amerikan në vitet 1990, me këngë si “Party Up” dhe “Get At Me Dog”.
50-vjeçari gjithashtu ka luajtur edhe në mbi 40 filma, më të famshmit “Romeo Must Die” me këngëtaren e famshme Aaliyah pak para se ajo të ndërronte jetë, dhe “Never Die Alone”.
Në vitin 2013 ai ka mbajtur një koncert në Kosovë dhe madje në një video të shpërndarë në rrjete sociale ai shihet duke vallëzuar nën ritmet e këngës shqipe.
Reperi ka marrë tre nominime ”Grammy” , në vitin 2000 dhe 2001. Dy ishin për Performancën më të mirë “Rap Solo” dhe e treta ishte për Rapin më të mirë.