Tri ndeshje për të arritur objektivin për Milanin
Pasi kryesoi kampionatin për muaj të tërë, Milani u dorëzua dhe i hapi rrugë Interit, që ka ikur tashmë 11 pikë para dhe objektivi i vetëm i kuqezinjve ka mbetur të ruajnë një vend në 4-shen e parë të renditjes, për të luajtur në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Tre ndeshjet e ardhshme të milanezëve, të planifikuara për t’u luajtur më 10, 17 dhe 21 prill, pritet të jenë vendimtare për objektivin e tyre, pasi bëhet fjalë për tre të lehta në letër, konkretisht ndaj Parmës në transfertë dhe ndaj Genoas e Sassuolos në shtëpi.
Në këto tre javë, rivalët e kuqezinjve për një vend në zonën Champions do të kenë ndeshje direkte mjaft të rëndësishme, ndaj të besuarit e Piolit duhet të marrin pikët e plota, për t’u shkëputur dhe për të blinduar pozitat.
Kjo pasi në javën e 31-të do të luhen sfidat Atalanta-Juventus dhe Napoli-Inter, ndërsa një javë më vonë Roma-Atalanta dhe Napoli-Lazio, ndeshje këto ku Milani pret që rivalët direkt të lënë pikë dhe të mbeten mbrapa.
Malorja për kuqezinjtë fillon pikërisht në javën e 33-të me transfertën kryeqytetase ndaj Lazios dhe më pas deri në fund të sezonit, do t’u duhet të luajnë jashtë “San Siro”-s edhe përballë Juventusit, Torinos e Atalantës në ndeshjen e fundit të sezonit.
Marrja e pikëve maksimale në transferta të tilla është thuajse e pamundur, ndaj kuqezinjtë do të provojnë që në tre ndeshjet e radhës të vendosin një distancë sigurie me rivalët e drejtpërdrejtë për një vend në zonën Champions.
Lënia e pikëve në tre javët e ardhshme mund të rezultojë fatale për kuqezinjtë, duke qenë se rivalë si Napoli e Atalanta kanë një kalendar dukshëm më të lehtë në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit.