Prishtina mezi ia kthen borgjet disa futbollistëve, tre të tjerë në pritje të shlyerjes së obligimeve
Klubi Futbollistik “Prishtina” është detyruar t’i paguajë borxhet ndaj ish-futbollistëve, të cilët e kishin paditur klubin në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kishin fituar lëndët në lidhje me mos zbatimin e kontratave të ‘firmosura’.
Disa nga futbollistët tashmë kanë marrë paratë dhe borxhi është shlyer në tërësi, derisa disa të tjerë janë në pritje e sipër.
Armend Thaqi, Labinot Ibrahimi dhe Dijar Miftaraj kanë marrë paratë e pretenduara, ndërkohë që një pjesë të vogël kanë vendosur që t’ia falin klubit, për të mos e dëmtuar në procesin e licencimit për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare, raporton ekskluzivisht Gazeta “Sheshi”
Në pritje për të ju shlyer borxhin janë edhe futbollistët e tjerë Ahmet Haliti, Meriton Korenica dhe Ahmed Januzi.
Gjashtë futbollistët e kishin paditur FC Prishtinën në Federatën e Futbollit të Kosovës, teksa pas shumë tentimeve më në fund kanë arritur që t’i marrin paratë e tyre nga kontratat e nënshkruara.
Klubi kryeqytetas kishte rrezikuar seriozisht mos licencimin në rast të mos kryerjes së këtyre obligimeve.