Si e la Arbër Zeneli gojëhapur Suedinë? U shpall kampion i Evropës për ta, dhe i refuzoi për Kosovën

Si e la Arbër Zeneli gojëhapur Suedinë? U shpall kampion i Evropës për ta, dhe i refuzoi për Kosovën

Më 28 mars zhvillohet ndeshja kualifikuese për “Katar 2022” mes kombëtares së Kosovës dhe kombëtares së Suedisë në stadiumin Fadil Vokrri të Prishtinës.

Kur përmendet Kosova bashkë me Suedinë, është një lojtar ai që na vjen ndërmend menjëherë. Arbër Zeneli që luan për Reimsin në Francë.

Arbëri ka lindur në Suedi nga prindër kosovarë dhe ka nisur karrierën në skuadrën Halsinggardens AIK për të rinjtë. Skuadra e njohur suedeze Elfsborg e kishte pikasur në moshën 12 vjeçare dhe e kishte marrë në ekipin e saj, shkruan Periskopi.

Ai e kishte nisur karrierën profesionale me Elfsborgun në vitin 2014, si nëntëmbëdhjetë vjeçar [pra, pakëz vonë]. Për një vit e gjysmë qëndrimi në këtë ekip, ai i bëri 46 ndeshje dhe i shënoi 11 gola vetëm në ligë.

Më pas, Zeneli u pa nga Heerenveen, ekipi i famshëm holandez ku aktualisht luan ylli tjetër i kombëtares sonë, Ibrahim Dresheviq, dhe në të cilin ekip karriera e Arbërit u stagnua paksa.

Megjithatë, talenti i tij u vërejt nga ekipe të njohura të ligave më të forta evropiane, dhe më në fund pranoi ofertën e ekipit francez Reims, te cili po qëndron tash e një kohë.

Arbëri është lënduar në mars të vitit 2019 derisa po luante pikërisht me Kosovën kundër Malit të Zi – dhe kur u rikthye nuk ishte më i njëjti.

26 vjeçari ka shënuar deri tash 7 gola në vetëm 22 ndeshje për ekipin tonë kombëtar.

Por, ajo që lë shije shumë të mirë për të gjithë tifozët dardanë është refuzimi që i kishte bërë kombëtares së Suedisë vetëm për të luajtur për ekipin kombëtar të vendit të tij, Kosovën.

Ai kishte qenë ndër lojtarët kryesorë të Suedisë U-21 të cilët kishin fituar kampionatin Evropian në vitin 2015./Periskopi

Shpërndaje në: