Dalja nga BE është e mirë për Britaninë
Më 23 qershor, britanikët do të votojnë për qëndrimin në Bashkimin Evropian ose daljen prej tij. Kampi pro-BE mbron idenë se dalja nga BE do t’i kushtojë shtrenjtë Britanisë në drejtim të prosperitetit ekonomik, stabilitetit financiar, dhe sigurisë së brendshme. Në fakt, njerëzve u thuhet se dalja nga BE do të sjellë kohë të këqija. Grupi pro daljes nga BE mbron idenë që kjo do të jetë një gjë e mirë, sepse i jep Britanisë lirinë të vendosë për fatin e saj: të vendosë për taksat, peshkimin, emigracionin, dhe të tjera çështje që janë me rëndësi jetike për mirëqenien ekonomike dhe politike për popullin britanik. Për të kuptuar pse dalja nga BE do të jetë mirë për Britaninë, mund të konsultojmë vepërn e Ludwig von Mises. Dalja do të heqë një tjetër shtresë nga ndërhyrja e qeverisë në jetën e britanikëve, dhe në librin e tij “Një kritikë e Intervecionizmit”, botuar fillimisht më 1929, Mises mbron idenë se sa herë që shteti ndërhyn në tregun e lirë, kjo keqëson standardin e jetës që ekzistonte para ndërhyrjes së shtetit.
Evolucioni i BE
BE është rast par excellence ilustrimi i dështimit të intervencionizmit [ndërhyrjes]. Për të qenë i drejtë, në fazat e fillimit ekzistonte diçka si një ide evropiane për krijimin e një zone tregtie vërtet të lirë: qarkullimin e lirë ndërkufitar të mallrave, punës dhe kapitalit.
Kjo u realizua në fillim të viteve 1990. ajo solli vërtet ndikim pozitiv për rritjen ekonomike dhe punësimin në gjithë shtetet kombëtare evropiane. Por politikat e BE nuk ndaluan aty. Ajo donte të bëhej më e fuqishme.
Në gjithë këto vite, BE ka punuar për t’i dhënë fund sistemit të federalizmit evropian në kuptimin e konkurrencës produktive të shteteve kombëtare sovrane, duke u përpjekur ta zëvendësojë me një superfuqi politike, ekonomike dhe financiare të centralizuar në Bruksel.
Megjithatë, qasja intervencioniste e BE ka sjellë një situatë shumë të vështirë në lidhje me çështjet ekonomike dhe financiare në shumë vende të BE: papunësi masive, financa publike të çoroditura, dhe perspektiva rritjeje të këqija.
Kulmi i megalomanisë së BE ishte krijimi i euros më 1999: monedhat e shteve kombëtare që hynë në Bashkimin Monetar Evropian u zëvendësuan me një monedhë të vetme, euron, e lëshuar nga një bankë e vetme, Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Që në fillim BQE krijoi një mundësi borxhesh kolosale, e cila ka shkatërruar shtete, banka dhe konsumatorë. Për të mbuluar pisllëkun, BQE i ka ulur normat e interesit poshtë zeros dhe vazhdon të printojë para – e vetmja mundësi e mbetur për të parandaluar fundosjen e euros.
Politika e BQE nuk ka asnjë të mirë veç mbulimit të problemeve për një farë kohe. E vërteta është se kjo shkakton mungesën e kursimeve dhe investimeve, konsum të tepruar dhe investime të këqija në shkallën më të lartë, duke shkatërruar kolonat mbi të cilat qëndron zhvillimi ekonomik.
Pavarësisht mosfunksionimit të rrugës së centralizimit, BE është e vendosur të ndjekë kursin e saj të tanishëm në mënyrë më radikale: Ajo mbron avancimin për “Kompletimin e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar të Evropës”, thjesht përmes “koordinimit të ngushtë të politikave ekonomike.”
Shtetet e vogla janë më të mira
Kritika e intervencionizmit e Mises mjafton për të kuptuar që qasja e BE është një dështim ekonomik i plotë. Megjithatë, ka dhe një argument tjetër që në këtë kontekst meriton vëmendje. Ai është formuluar nga Leopold Kohr.
Në librin Rënia e Kombeve (The Breakdown of Nations) (1957), Kohr thekson që shtetet e vogla janë më produktivë dhe paqësorë sesa të mëdhenjtë, dhe gati gjithë problemet politike dhe sociale do të pakësoheshin tej mase duke i ndarë shtetet e mëdha në shumë shtete të vogla.
Parë nga kritika intervencioniste e Mises dhe mendimi i Kohr që shtetet e mëdha janë shkaku i gjithë të këqijave politike dhe ekonomike, ka arsye të forta që Britania të dalë nga BE, të çlirohet nga një ideologji e destinuar të dështojë.
Dy arsye pse dalja e Britanisë nga BE është më e mirë
Në fakt, dalja e Britanisë do të jetë e mirë për dy arsye. Së pari, mund të ndihmojë t’i jepet fund një politike pa krye, ndërsa vende të tjera anëtare mund të kërkojnë të dalin, e kështu mund të rritet mundësia që BE t’i kthehet sistemit të konkurrencës produktive të tregut të lirë mes rajoneve të saj.
Së dyti, dhe më themelore, thjesht debati për daljen e Britanisë nxjerr në pah faktin që shteti (siç e njohim sot: një njësi territoriale monopoliste me pushtetin e fundmë vendimmarrës) është gjithmonë problemi, jo zgjidhja.
Shteti kombëtar i sotëm bie ndesh me lirinë e individit. Nuk mund të pajtohet me idenë e lirisë së individit. Situata bëhet edhe më keq kur shtetet kombëtare nisin të grupohen, në përpjekje për të bashkuar pushtetin e tyre në një strukturë shtetërore të vetme – si BE.
Si përfundim, nuk duhet të ketë asnjë frikë për daljen e Britanisë nga BE për ata që kërkojnë liri dhe lulëzim ekonomik. Përkundrazi. Dalja e Britanisë mund të jetë çelësi për ta bërë Evropën të heqë dorë nga një kurs i destinuar të dështojë, ta kthejë me këmbët në tokë dhe në rrugën e lirisë dhe lulëzimit ekonomik. /MAPO/