Dënohet me gati 5 vjet burgim, jep dorëheqjen trajneri i Dinamos së Zagrebit
Trajneri i Dinamos së Zagrebit, Zoran Mamic ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit legjendar kroat vetëm dy ditë para ndeshjes së kthimit në Europa League ndaj Tottenhamit.
Shkak është bërë vendimi i Gjykatës Supreme në Kroaci, që ka konfirmuar dënimin e tij me thuajse 5 vite burg për evazion fiskal dhe mashtrim. Zoran Mamic, bashkë me vëllanë e tij Zdravko Mamic, u akuzuan se kanë shmangur pagesën e miliona eurove taksa nga transferimet e shumë futbollistëve të Dinamos së Zagrebit në klube të ndryshme europiane.
Bëhet fjalë për periudhën kur Zdravko Mamic ishte Drejtor Ekzekutiv i Dinamos së Zagrebit dhe Mamic trajner, ndërsa në 2018-ën dy vëllezërit u dënuan me 5 vite burg.
Ata apeluan dënimin dhe Gjykata Supreme u uli vetëm 4 muaj, duke lënë në fuqi një vendim final për vuajtjen e burgimit për 4 vite e 8 muaj.