Drita premi për futbollistët nëse mposhtin Gjilanin në derbin e zjarrtë të Anamoravës
Gjilani dhe Drita janë protagonistë të javës së 24-t në Superligën e Kosovës në futboll.
Në stadiumin e qytetit në Gjilan, të dyja skuadrat nga Anamorava do t’i masin forcat e tyre në fushën e gjelbër.
Derisa Drita po lufton për ta mbrojtur titullin e kampionit, Gjilani i ka punët më keq, duke u larguar nga gara për titull si dhe duke u eliminuar nga Kupa e Kosovës.
Ndeshja në fjalë luhet të enjten më 11 mars, derisa të dyja skuadrat janë duke i bërë përgatitjet e fundit.
Si në çdo derbi tjetër, edhe kësaj radhe, Drita iu ka ofruar futbollistëve premio në rast të fitores ndaj rivalit të përbetuar, Gjilanit.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i klubit gjilanas, Valon Zymberi.
“Si në çdo derbi tjetër, edhe kësaj radhe klubi do të jap premio në rast të fitores ndaj Gjilanit”, ka thënë Valon Zymberi.
I pyetur se cila është shuma e premiove për ndeshjet derbi ndaj Gjilanit, Zymberi u përgjigjë:
“Varësisht prej rëndësisë së ndeshjes, por premiot variojnë nga tetë deri në dhjetë mijë”.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Gjilanit, Sevdail Robelli në lidhje me këtë çështje, por i njejti tha se ende nuk është marrë vendim.
“Ende nuk jam takuar me presidentin Florim Zuka, nuk ka ndonjë vendim deri më tash”, u përgjigj shkurtimisht Robelli.
Pas 23 javësh, Drita është lidere në Superligë me 50 pikë, kurse Gjilani zë vendin e katërt.