A po ndodh çlirimi i gjinisë së shtypur në Kosovë?
Legjislatura e VIII e Kuvendit të Kosovës do të ketë më shumë gra se çdo legjislaturë tjetër. 44 nga 120 deputetët e rinj të Kosovës nuk do të kenë penis. Arritje e madhe! Por, çka nëse edhe këtyre grave iu del penisi papritmas?
Gratë e angazhuara politikisht para 100 e kusur vitesh në ShBA, Gjermani dhe vende të tjera, e që e bënë 8 marsin Ditë Ndërkombëtare të Grave, e kishin para vetes një sistem patriarkal që e ilustronte mbiemrin me gjithë-praninë e penisëve në hierarkinë e tij. Sistemi patriarkal i asaj kohe ishte shumë më lehtë i rrokshëm, thjesht përmes anës përfaqësuese të tij: të gjithë ishin burra.
Por, këto sisteme patriarkale u detyruan t’i modifikonin strategjitë e tyre shtypëse kur u bë evident se ky patriarkalitet gjëmues binte ndesh me interesat kapitaliste, e të cilat e shtronin nevojën për më shumë fuqi punëtore të shkathtësuar dhe pashkathtësuar. Kujtojmë se paraprakisht, diku prej fundit të shekullit XIX, kishim pasur ‘hope gjigante’ të gjithandejme në ‘vetëdijen’ shoqërore të vendeve kapitaliste. Nga shtypja e vrazhdë, shoqëritë kërcyen në shtypje më njerëzore dhe më eksploatuese. Kjo ndodhi me të burgosurit, të sëmurët, nxënësit, ushtarët, policët, zjarrfikësit dhe me krejt klasën punëtore. E në kuadër të kësaj ecurie maksimizuese fitimesh, kjo ndodhi edhe me gratë.
Kapitalizmi i doli kundër shtypjes së vrazhdë që iu bëhej njerëzve, jo sepse ishte njerëzor, por sepse e kuptoi që vrazhdësia e asaj shtypjeje e pengonte prodhimin dhe në rastin e grave, e zvogëlonte terrenin eksploatues.
Sistemi i sotëm patriarkal, edhe në vendin tonë, nuk ka vetëm njerëz me penis. Ka edhe shumë gra të cilave vetvetiu iu ‘mbin’ penisi kur marrin pozita vendim-marrëse.
Pak para zgjedhjeve, Mimoza Kusari Lila përdori fjalor seksist dhe i shërbeu përforcimit të mëtejmë të narrativës homofobe. Ajo e quajti ‘grua të keqe’ një rival politik dhe e denoncoi ‘vendosjen aq lart’ të pikës për komunitetin LGBTIQ në Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020. Në zgjedhje i mori mbi 53 mijë vota.
Por, edhe nëse e pranojmë që votuesi kosovar po emancipohet sa i përket përfaqësueshmërisë politike, a mund të besojmë që ky emancipim shkon matanë kësaj përfaqësueshmërie?
Në fakt, gati krejt kandidatet për deputete [ashtu si të gjithë kandidatët burra] nga të gjitha partitë politike, përfaqësimin e kishin të lidhur krejtësisht me liderët politikë dhe jo me kauzat e caktuara. Unë për vete e njoh veç një kandidate në listën e VV-së, që u shqua për angazhimin e saj për barazi gjinore. Të tjerat, ishin të zëna duke treguar se si lideri i tyre, burrë, ishte më i ndershëm se liderët e tjerë.
Megjithëse do t’i kemi 44 gra në Kuvendin e Kosovës, problemet për gratë që nuk i takojnë klasës së mesme të lartë apo klasës së pasur pritet të rriten. Kjo pjesërisht edhe shkaku i demografisë së përgjithshme që tregon se pjesa më e madhe e shoqërisë i takon grup-moshave të reja.
Edhe pse 44 gra do të ulen si deputete në Kuvend, qindra mijëra të tjera janë të papunë, nuk kanë banim të përballueshëm, e janë të viktimë e përditshme e dhunës në familje.