Vazhdon forma e tmerrshme e Liverpoolit, marrin humbjen e 6’të radhazi në Anfield
Forma e tmerrshme e Liverpoolit në Anfield ka vazhduar edhe në takimin e së dielës kundër Fulham, pasi të kuqtë e pësuan humbjen e gjashtë radhazi historike në shtëpinë e vet në duart e skuadrës londineze.
Fulhami e mundi 1:0 Liverpoolin falë një goli nga Mario Lemina në pjesën e parë, duke ia vështirësua punën edhe më shumë skuadrës së Jurgen Kloppit për ta arritur synimin, një vend në top katërshe të Premierligës.
Të kuqtë vinin nga një fitore e arritur me mund të madh ndaj skuadrës së fundit në tabelë, Sheffield United, dhe kishin shpresa për ta ndalur serinë historike të humbjeve të njëpasnjëshme në shtëpi.
Por Fulham e bëri atë që e bënë pesë skuadra para saj, t’i marrë tri pikë në Anfield në përpjekje për ta siguruar mbijetesën në elitë.
Kjo është ndeshja e tetë pa fitore në Anfield për Liverpooli, pasi barazoi me West Brom dhe Manchester United para se të humbiste radhazi kundër Burnley, Brighton, Manchester City, Everton, Chelsea dhe tani Fulham.
Liverpooli mbetet në pozitën e 7-të me 43 pikë, katër më pak se top katërshja. Por Chelsea do ta rrisë në shtatë pikë epërsinë ndaj kampionit në fuqi nëse e fiton takimin e kësaj jave kundër Evertonit të hënën.
Fulham, ndërkohë, ngel në pozitën e 18-të, por me pikë të barabarta me Brighton që është në zonën e mbijetesës.