Berisha i vetëm në Rusi, iu flet Dardanëve si ‘Skënderbeu’: Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim
Mesfushori kosovar, Bernard Berisha mendon se Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë befasia e fazës së grupeve në ndeshjet para-kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.
Ai ka dhënë një mesazh të fortë për ‘Dardanët’ e tjerë duke thënë se vetëm bashkë mund të bëjnë surpriza dhe t’ia dalin, shkruan Periskopi.
“Unë gjithmonë jam i gatshëm që të jap më të mirën për vendin tim. Edhe pse kemi një grup të vështirë, mendoj se Kosova ka lojtarë cilësor dhe vetëm të bashkuar mund të jemi surpriza”, ka thënë Berisha për IndeksOnline.
Berisha është duke kaluar në formë të mirë me ekipin rus. Përmes kësaj interviste, lojtari kosovar tregon synimet e klubit të Akhmat këtë sezon.
“Po unë jam duke kaluar në një formë shumë të mirë dhe pas fazës përgatitore në Turqi. Ne jemi në garë për kupë, ku arritëm ta mposhtim Rostovin. Kurse, synimet tona janë pozita e 5/6 në ligë dhe po ashtu të shkojmë sa më lartë në kupë”, tha tutje futbollisti kosovar.
Në ekipin e Akhmat dikur luanin tre lojtarë shqiptarë, përfshi Bernard Berishën, Odise Roshin dhe Bekim Balaj – këta dy të fundit janë larguar nga Premierliga ruse. Balaj luan në Austri, kurse Roshi në Hungari.
Sa problem është ky për Berishën, tregon futbollisti: “Po dihet se tash jam vetëm këtu. Për mua është shumë e vështirë sepse me të vërtetë jam mësuar që të ndaj një kohë me Bekim Balaj dhe Odise Roshin, të dyve i uroj suksese të mëdha”, përfundoi anësori i Kombëtares së Kosovës.
Bernard Berisha ka kontratë me ekipin e Akhmat deri në vitin 2022. Vlera e tij në ‘Transfermarkt’ shkon deri në 2.5 milionë euro.