I pranoi 11 gola për dy ndeshje, kjo është përgjigja e Muric pas kritikave të shumta
Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muriq, është i lumtur që e ka kaluar momentin e vështirë te Willem II në elitën e Holandës. Shtatlarti Muriq ka pranuar 11 gola në dy ndeshjet e para në Eredivisie. Në ndeshjen e tretë pranoi gol nga penalltia, ndërsa në ndeshjen e katërt e mbajti portën të paprekur.
Ndaj Feyenoordit më 14 shkurt, Willem II pësoi 5:0, në debutimin e Muriqit. Më pas më 19 shkurt skuadra e Muriqit pësoi 6:0 nga Utrechti. Më 24 shkurt ndaj Den Haagut, Willem II luajti 1:1. Golin, Muriqi e pësoi nga pika e bardhë. Kurse më 28 shkurt, Willem II fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Sparta Rotterdamit.
Ndonëse pranoi 11 gola në dy ndeshje, që nuk ndodh shpesh për një portier në ndeshjet fillestare, trajneri i Willem II i besoi Muriqit, që është i huazuar te skuadra holandeze nga Manchester City.
22-vjeçari është i lumtur që më në fund po paraqitet rregullisht në nivel skuadrash. Ai te City ishte rezervë e po ashtu humbi shpejt vendin te Nottingham Foresti dhe Girona ku ishte i huazuar.
Te Kosova, Muriq aktivizohet thuajse rregullisht dhe ka arritur në shifrën e 16 ndeshjeve.
“Natyrisht se nuk jam ndier mirë aspak. Por për mua kishte rëndësi që me gjithë golat e shumtë të pranuar, nuk kam bërë gabime të rënda. Ndoshta kam mundur të bëj pak më shumë në një apo dy raste, por unë vendos vazhdimisht standarde të larta për vete”, ka thënë Muriq në një intervistë për “bd.nl”.
Muriqit nuk i ka mbetur hatri në lojtarët e repartit defanziv. Thotë se ata do të bënin më shumë sikur të kishin mundësi. Në vend se të kritikojë mbrojtësit për paraqitje, Muriq është munduar të japë këshilla për ta. Vlerëson se kjo ka më shumë efekt se kritikat.
“Pas këtyre dy humbjeve, jemi rikuperuar mirë si ekip. Kam pranuar vetëm një gol ndaj Den Haagut dhe atë nga penalltia. Te Sparta nuk jemi mposhtur”, ka theksuar Muriq. Ai nuk flet për vete, por për ekipin.
“Nëse mbrohemi mirë si ekip, më pak topa vijnë në drejtim të portës. Mbrojtja si ekip është bazike”.
Portieri i Kosovës ka besim tek ekipi që po lufton për mbijetesë në elitën holandeze.
“Është shumë mirë që kemi fituar tri pikë në ndeshjen e fundit. Për portierin është gjithnjë me rëndësi kur nuk pranon gol po ashtu”.
Muriq po punon, ndër të tjera, për të përmirësuar pasimet e tij të gjata. Në ndeshjen e kaluar tri-katër pasime të tij përfunduan jashtë fushës. Ai ka premtuar se do të vazhdojë të punojë për të përmirësuar pasimet, por edhe gjëra të tjera.
Te Willem II janë të përkushtuar të nxjerrin më të mirën prej Muriqit, ndonëse ai me shumë mundësi do të jetë te kjo skuadër vetëm deri në verë.