Ademi dhe Salihu e mohojnë se u përleshën fizikisht, por konfirmojnë mospajtimet mes vete
Shefi i shtëpisë së futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, e kanë mohuar se janë rrahur mes vete, në një letër të përbashkët publike, në të cilën, megjithatë, duket sikur e pranojnë se shpesh kanë mospajtime dhe argumente me tone të larta brenda institucionit të tyre.
Gjatë javës u raportua në media se Ademi dhe sekretari i tij Salihu ishin përfshirë në një përleshje fizike që kishte ardhur si pasojë e akuzave të sekretarit në drejtim të kryetarit.
Megjithatë, Ademi dhe Salihu kanë reaguar përmes një letre të publikuar në uebfaqen e Federatës së Futbollit të Kosovës të dielën mbrëma.
“Ditën e djeshme në njërin nga portalet vendore u publikua një artikull me titull ‘Plas grushti: Agim Ademi dhe Eroll Salihu rrahën mes vete në zyrat e FFK-së’. Nuk e kishim ndërmend që t’i reagonim fare këtij portali, pasi synimi i tij i vazhdueshëm ka qenë të faktorizohet pikërisht me lajme të rreme dhe negative në raport me FFK-në, por fakti që opinioni dhe dashamirët tanë të shumtë u shqetësuan nga një artikull i tillë, e i cili u plasua edhe në disa portale tjera, na bëri që të sqarojmë opinionin si vijon: Ju bëjmë me dije se në Federatë nuk ka ndodhur asnjë përplasje. Ne ishim njëri në vizitë pune në Gjermani, e tjetri në pushim me familjen. Sa i përket gjoja se ka plasur grushti ndërmjet nesh, ajo jo që nuk ka ndodhur, por nuk do të ndodhë asnjëherë”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Ademi dhe Salihu.
Ata duket sikur e konfirmojnë se mes tyre ka mospajtime: “Ne, mund të kemi debate ndërmjet veti dhe shpesh kemi pasur edhe mendime ndryshe, por gjithmonë mospajtimet tona janë zgjidhur brenda institucionit, ku çdo herë jepet dhe dëgjohet mendimi i gjithsecilit dhe në fund nxirret solucioni më i mirë. Mund të ndodhë që debatet tona ndonjëherë të jenë edhe më tone më të larta, por ato thjesht janë pjesë e punës së përditshme dhe asnjëherë nuk vijnë në shprehje ofendimet apo gjërat që janë munduar të na i mveshin.”
Tutje, në reagimin e tyre thuhet: “Përveç se jemi në pozicionet drejtuese të FFK-së, si kryetar dhe sekretar i përgjithshëm, ka 15 vjet e më shumë që punojmë bashkërisht për futbollin dhe mbi të gjitha jemi shokë. Prandaj, shkrimet për përplasje fizike janë absurde dhe rrena që i sajon një portal, i cili gjithmonë në raport me FFK-në nxjerr vetëm të pavërteta dhe gjëra negative.”