Batatina merr zemër pas fitores: Drita, Ballkani dhe Prishtina nuk kanë asgjë më shumë se Llapi
Llapi ka regjistruar fitore të rëndësishme kundër Ballkanit në ndeshjen e xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll, e cila u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Edon Sadriu ishte realizuesi i vetëm në sfidën, në të cilën u ndanë dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër.
Në prononcimin e tij për Art Sport pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se skuadrat në pozitat e parë nuk kanë asgjë më shumë se të zgjedhurit e tij.
Sipas tij, Drita, Ballkani dhe Prishtina, që i ndajnë pozitat një, dy dhe tre, respektivisht, nuk kanë asgjë më shumë se skuadra nga Podujeva, synimi i të cilës është dalja në Evropë.
Lidhur me sfidën ndaj Ballkanit, ai ka theksuar se lojtarët iu janë përgjigjur detyrave të stafit teknik të përgatitura në seancat stërvitore dhe falë angazhimit të tyre kanë ardhur deri te fitorja.
Llapi aktualisht ndodhet në vend të gjashtë me 26 pikë, 21 më pak se pozita e parë (Drita).