Tovërlani: Fushat sintetike janë armiku kryesor i futbollistëve, nuk duhet të luhen ndeshje në to
Trajneri i njohur kosovar, Afrim Tovërlani është i bindur se fushat me bar sintetik janë armiku kryesor dhe dëmtojnë rëndë futbollistët dhe se duhet të largohen nga ndeshjet zyrtare në futbollin kosovar.
Periskopi sot publikoi artikullin ku nënvizohet qartë nga akterë të njohur të futbollit kosovarë sa shumë e dëmtojnë kualitetin e futbollit kosovar këto fusha me bar sintetik.
Se këto terrene janë jashtëzakonisht të dëmshme pajtohet edhe Tovërlani, i cili në një prononcim për Periskopin ka thënë:
”Fusha sintetike sot jane armiku kryesor i futbollistëve dhe shumica e lëndimeve po vinë nga këto fusha. Personalisht mendoj që këto fusha nuk janë adekuate shkaku i cilësisë dhe jo mirëmbajtja e duhur e tyre,” potencoi fillimisht ai.
”Këto fusha duhet të sherbejnë vetëm kur duhet te kursehet fusha me bar natyral por që duhet të jenë standarde shumë më të mira se që janë. Ato fillimisht nuk e kanë tapetin e duhur me bar artificial, pastaj duhet të krehen e ujiten dhe kohë pas kohe t’i shtohet granulla për të plotsuar kushtet. Tek ne nuk mirëmbahen dhe janë në gjendje shumë të keqe.
”Mendoj që për ndeshje zyrtare duhet të hiqen dhe mos të pranohen. Ka disa arsye por kryesoret janë lëndimet dhe qe loja nuk bëhet e njejtë në sintetik dhe bari natyral. Çuditem me disa bosa të klubeve që shpenzojnë ma shumë se 1 milion në vit por nuk angazhojn persona adekuat për të mirëmbajtur fushat ku zhvillojnë stërvitje e ndeshje lojtarët qe i paguan aq shtrenjtë. Ështe shumë e thjeshtë, s’ka organizim dhe planifikim te mirëfilltë në klube,” përfundoi ‘Toki’. /Periskopi.com/