Renditja e top golashënuesve zbulon një realitet të hidhur për kualitetin e Superligës së Kosovës
Superliga e Kosovës në futboll mbylli sot xhiron e 21-të, derisa tashmë është e qartë cilat skuadra do të luftojnë për titull deri në fund.
Vetëm nëse ndodhë një sensacion, duket se Ballkani, Drita dhe Prishtina do të luftojnë deri në fund kokë më kokë, pasi maksimalisht i ndajnë katër pikë këto tri skuadra në krye të tabelës.
Në fakt, kryeqytetasit iu futën vallës në javën e fundit, falë edhe rezultateve jo bindëse të Dritës dhe Ballkanit së fundmi, shkruan Periskopi.
Sidoqoftë, derisa kemi të bëjmë me një garë ”tre-kuajsh” për titull, gjërat nuk janë aq të turbullta sa i përket asaj se kush do të jetë golashënuesi më i mirë i sezonit në Superligë.
Në fakt, pavarësisht se kanë mbetur edhe 15 javë deri në përfundim të sezonit, gara për top golashënuesin e Superligës tashmë është mbyllur qysh moti.
Kjo pasi superylli i Ballkanit, Mirlind Daku po kryeson me 22 gola, duke lënë vite drite larg vendin e dytë ku pozicionohet Kastriot Rexha i Dritës me vetëm tetë gola. Tetë gola ka poashtu edhe Darko Nikaç i Gjilanit.
Kjo nënvizon qartazi kualitetin e dobët të futbollit në Superligë.
Një futbollist si Daku, të cilin vështirë se do ta shohim edhe për shumë gjatë nëpër fushat e Superligës, është thesar i vërtetë në kampionatin tonë por duhet nënvizuar se kualiteti nën mesatar i futbollistëve të tjerë e bën atë të shndritë edhe më shumë.
Se Daku është larg më i mirë se të tjerët në Superligë, pajtohet edhe opinionisti i Periskopit, Andin Lokaj i cili për Redaksinë tonë është shprehur:
”Daku është larg kualiteteve të sulmuesve tjerë në Superligë dhe përparësi për të kanë qenë edhe lojtarët e krahut që i ka Ballkani, e që kanë asistuar për të.
”Element i rëndësishëm i cili shihet rrallë te skuadrat tjera. Mendoj se Daku do të shënojë së paku edhe 10 gola tjerë deri në fund të stinorit. Ka potencial ta bëjë këtë sidomos tani kur është ashpërsuar lufta për titull.” /Periskopi.com/