Turneu ‘Strandja’ në Sofje, boksieria lufton për medalje
Është duke u zhvilluar turneu ndërkombëtar “Strandja” në Sofje të Bullgarisë, ku janë të pranishëm 6 boksierë nga Kosova.
Në këto gara Kosova përfaqësohet nga këta boksierë: Bashkim Bajoku 52 kilogramë, Donjeta Sadiku 60 kilogramë, Shpejtim Bajoku 63 kilogramë, Patriot Behrami 69 kilogramë, Besart Pireva 81 kilogramë dhe Faton Tolaj 91 kilogramë.
IndeksOnline ka kontaktuar me Besim Brahimin, i cili tregon gjendjen e boksierëve në Sofje.
“Shpëtim Bajoku dhe Besart Pireva janë dëmtuar rëndë nga gjyqtarët, kurse Patrioti dhe Fatoni kanë pësuar disfatë të merituar”, ka thënë Brahimi.
Donjeta Sadiku dhe Bashkim Bajoku, të dytë do të luftojnë për medalje sot gjatë ditës.
Donjeta mundi boksieren ruse me rezultat bindës 5 me 0, kurse sot lufton me boksieren nga Kazakistani.
“Besoj shumë se do të ketë rezultat pasi është në formë tejet të duhur”, vazhdoi Brahimi.
Trajneri Brahimi, po ashtu thur lavde edhe për Bashkimin. Madje thotë se është shpresë e boksit kosovar në të ardhmen.