Ministrja Dumoshi ndau 10 bursat për sportistët e talentuar: Ata do të marrin nga 150 euro në muaj për një vit

Ministrja Dumoshi ndau 10 bursat për sportistët e talentuar: Ata do të marrin nga 150 euro në muaj për një vit

Ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, ka ndarë 10 bursat “Shpresa Olimpike 2021”, për sportistët e rinj 15-21 vjeç, të përzgjedhur nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Në ceremoninë e organizuar në Hotel Sirius në Prishtinë, të pranishëm ishin edhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në MKRS, Ibër Alaj.

Bursa nga MKRS gjatë vitit 2021 në vlerë 150 euro në muaj do të marrin: Erza Muminoviq (xhudo), Dardan Cena (xhudo), Betim Maliqi (karate), Albulena Gërvalla (karate), Alnera Brahimi (boks), Remzo Mustafiq (boks), Muhamet Ramadani (atletikë), Alaudin Suma (atletikë), Vesa Gjinaj (tenis) dhe Drin Kokaj (skitari).

Presidenti Hasani inkurajoi sportistët e rinj që të vazhdojnë të punojnë, sepse mbështetja nuk do të mungojë.

“Kujdesi ndaj sportistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve tjerë është maksimal, në kuadër të mundësive tona, andaj ne kërkojmë nga ju që të punoni sa më shumë dhe ne sigurisht se do t’ju mbështesim në vazhdimësi”, deklaroi presidenti Hasani.

Ministrja Dumoshi theksoi se tregimi më i mirë për Kosovën është sporti, dhe se këto suksese vijnë edhe falë mbështetjes së MRKS-së.

“Ne si ministri me vëmendje ju kemi shikuar duke arritur rezultate kulminante. Tregimi më i mirë për Kosovën është sporti. Ne arritëm që këto 20 vjet ta arrijmë medaljen olimplike me heroinën tonë Majlindën. Këto suksese kanë ardhur duke ndjekur të gjitha rrrgulloret dhe ligjet. Ky vit ka qenë sfidues për komunitetin sportiv në përgjithësi. Mbështetja e ministrisë ka qenë me 4 milionë e 200 mijë euro në vit”, tha Dumoshi.

“Shteti i Kosovës renditet ndër 10 shtetet që japin më së shumti shpërblime për medaljen olimpike dhe medaljet tjera botërore e evropiane. Mbështetja ka vazhduar edhe këtë vit, ku në 5 milionshin e ndarë për sportin, sportistët kanë qenë përfitues të 1 milion e gjysmë. Për ne si ministri dhe politikat tona zhvillimore janë sporti e kultura. Uroj që buxhetet tona të rriten. Sipas raportit që na ka sjell KOK-u, për një punë tuajën të jashtëzakonshme ne sot po ndajmë bursa”, shtoi ajo, duke lavdëruar edhe KOK-un me në krye presidentin Hasani për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë deri më tani.

KOK-u ka përzgjedhur edhe dhjetëra bursistë, të cilët do të marrin bursa mujore nga KOK-ut, gjatë tërë vitit 2021, emrat e të cilëve do të publikohen në ditët në vijim.

Shpërndaje në: