Anamneza Shteruese e Nacionalizimit Serb
Parathënie e librit të sapobotuar:
Skender Latifi, Ashtu ka qenë: Bisedë me Latinka Peroviq, historiane, politikane dhe intelektuale serbe, Qendra Multimedia, Prishtinë 2021]
“Ashtu ka qenë” është libër bashkëbisedimi i Skender Latifit me historianen dhe politikanen serbe Latinka Peroviq (1933). Peroviq është një personalitet i jashtëzakonshëm i politikës dhe i jetës intelektuale dhe publicistike në Serbi. Ajo ka publikuar një sërë veprash kapitale mbi historinë shoqërore dhe politike të
Serbisë dhe rajonit dhe shquhet me komente inteligjente dhe të ndershme për zhvillimet aktuale në rajon.
Në dialogun me Latinka Peroviq, Skënder Latifi mëton shqyrtimin e temave dhe tezave kryesore të veprës monumentale të Latinka Peroviq, në mënyrë që ato t’i bëjë më të afërta për lexuesin shqiptarë, pasi që librat e saj nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Studiuesit dhe lexuesit shqiptarë me botimin e këtij libri kanë mundësinë që nga burimi të njihen me autoren e një vepre shembullore nga korpusi i historiografisë bashkëkohore ballkanike, e cila fatkeqësisht nuk njihet dhe konsultohet as në qarqet e ekspertëve.
Përndryshe, Latinka Peroviq ka qenë protagoniste e shquar e politikës serbe dhe jugosllave në një periudhë të eksperimenteve të mëdha në ish federatën jugosllave. Bëhet fjalë për fundin e viteve ‘60 dhe fillimin e viteve ’70 të shekullit XX kur federata jugosllave bënte përpjekje që të ristrukturohet dhe shndërrohet nga një federatë centraliste, ku instancat qendrore të kanë qenë dukshëm më të pushtetshme se republikat përbërëse të federatës, në një konstrukt të decentralizuar që do t’i ngjante më shumë konfederates: u fuqizuan njësitë federale dhe, në shumë aspekte vitale, humbi primatin pushteti qendror.
Për më shumë, te ky rikonstruktim i Jugosllavisë, pushtetin shtesë karshi organeve qendrore nuk fituan vetëm gjashtë republikat e federatës, por edhe dy krahinat autonome, Kosova dhe Vojvodina, që nominalisht mbetën pjesë të Republikës së Serbisë, por faktikisht morën edhe statusin e njësive konstituente të federatës me pothuajse po aq të drejta sa edhe 6 republikat e tjera, ku përfshihej edhe e drejta e vetos në Kuvendin federativ, si organ më i lartë legjislativ i shtetit.
Megjithatë, dy krahinat nuk u emërtuan si republika, çka edhe ua mohoi të drejtën burimore të vetëvendosjes më 1991, në kohë kur federata jugosllave u shpërbë dhe njësitë federale me status të republikës me automatizëm u shpallen shtete të pavarura, pos Malit të Zi, i cili, si Kosova, do të shpallet republikë e pavarur më vonë në vitet 2005, respektivisht 2008.
Karriera politike e Latinka Peroviq ka qene mjaft e suksesshme, sidomos në periudhën 1968 – 1972, kur u zgjodh sekretare e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe me kryetarin e LKS, Marko Nikeziq, ishte bartëse e reformimit dhe liberalizimit politik dhe ekonomik të Serbisë.
Karriera e politike e Latinka Peroviq është ndërprerë në vitin 1972 pasi që instancat e pushtetit qendror të federatës, me në krye Josip Broz Titon, Presidentin e përjetshëm, ndërmorën një operacion “korrektues” në Serbi dhe Kroaci, duke vlerësuar se Lëvizja masive popullore në Kroaci (Maspok), e udhëhequr nga Savka Dabçeviq Kuçar dhe Mika Tripalo, si dhe politikat liberale të Marko Nikeziqit dhe Latinka Peroviq në Serbi, po e rrezikojnë kohezionin dhe mbijetesën e Jugosllavisë.
Në të vërtetë, problemi me udhëheqësit e Lidhjes së komunistëve në dy republikat boshte të federatës jugosllave, të Kroacisë dhe Serbisë, konsistonte në atë se ato e kishin kuptuar seriozisht nevojën për reformim të sistemit politik dhe ekonomik, ndërkaq që Tito-ja dhe garda e vjetër e komunistëve, e hetuan shpejt se ky proces po i margjinalizonte dhe shteronte pushtetin, andaj nuk u pajtuan me ndryshimet. Titoja dhe garda e komunistëve, si themelues të federatës, më lehtë pajtoheshin me decentralizmin e vendit, madje edhe konfederalizmin e Jugosllavisë, por jo edhe instalimin e demokracisë reale dhe që pashmangshëm do të çonte drejt demonopolizimit të pushtetit të LKJ.
Mëkati i udhëheqsive të Kroacisë dhe Serbisë, sikurse edhe të Sllovenisë (këta të fundit mbetën ta pandëshkuar), ishte që ata decentralizimin e kuptonin edhe si shans për demokratizim.
Pas largimit nga pushteti, Latinka Peroviq nuk do të merret më me politikë aktive, por i përkushtohet studimeve të historisë moderne dhe bashkëkohore politike dhe intelektuale serbe, duke botuar një varg librash kapital. Disa nga titujt e këtyre studime voluminoze janë: Nga centralizmi te federalizmi: PKJ mbi çështjen kombëtare (Zagreb 1984); Socialistet serbë të shekullit XIX; vëll 1-3 (Beograd, 1985 dhe1995); Revolucioni i planifikuar: Blankizmi dhe jakobinizmi rus (Beograd 1988); Mbyllja e rrethit: Konsekuencat e përçarjes 1971-1972 (Sarajevë 1991); Lidhjet revolucionare serbo-ruse: Kontribute historisë së popullizmit në Serbi (Beograd 1994); Mes anarkisë dhe autokratisë: shoqëria serbe në kapërcyellin e shekujve XIX-XXI (Beograd 2006); Elita dominante dhe e padëshiruar: Shenime mbi elitën intelektuale dhe politike në Serbi nga shek XIX deri në shek XX (Beograd 2015) etj.
Studimet e Latinka Peroviq shquhen me qasje kritike ndaj kahjes së zhvillimeve politike në Serbi. Ajo vazhdon traditën e mendimit socialist serb të shekullit XIX dhe XX (Svetozar Markoviq, Dimitrije Tucoviq etj.) që janë distancuar hapur nga politikat ekspanzioniste dhe hegemoniste të elitave serbe dhe të Kishës ortodokse serbe, që në të gjitha fazat e zhvillimeve, shkaktonin konfrontimet e shtetit dhe të popullit serb me fqinjët.
Qasja kritike e të majtës politike kundër politikave hegjemoniste nuk ka arritur që të mbisundojë në Serbi, andaj edhe ka pas pasoja dhe ka shkaktuar dështimet e njëpasnjëshme të Serbisë që të bëhet fuqia hegjemone e rajonit. Në këtë kontekst, ndonëse nuk është marrë më specifikisht me marrëdhëniet serbo-shqiptare, duhet cekur qëndrimin konseguent të Latinka Peroviq ndaj çështjes së Kosovës edhe kur ka qenë politikane e edhe në rrafshin studimor.
Në këtë libër të dialogut me Skender Latifin, kemi një fragment sqaruese të kësaj konseguence ku, pas pyetjes së Latifit se çfarë ka qenë qëndrimi i liberalëve serbë në vitet ’60 dhe ‘70 të shek. XX ndaj zgjidhjes së çështjes kosovare?, ajo përgjigjet: “Ne faktikisht ishim që Kosova të fitonte statusin e republikës. Sapo mbaroi kongresi në të cilin ne ishim zgjedhur në krye të partisë në Serbi, erdhi deri te demonstratat në Kosovë në vitin 1968. Marko Nikeziqi kishte shkuar te Tito dhe i kishte thënë: ‘Ne nuk përkrahim kurrfarë represioni kundër kosovarëve, ne jemi për atë që të bisedohet për të gjitha çështjet, sepse askush nuk mund të na detyrojë që ne të kthehemi në fund të viteve 1912. Ne nuk duam të jetojmë nën hipotekën e prindërve tanë’. Ne asokohe ishim shumë prezent në Kosovë me punët partiake. Ishte ajo kohë kur banorët serb kishin filluar të humbnin dominimin, kurse humbja e këtij dominimi interpretohej si rrezikim i mbijetesës së serbëve në Kosovë. Ne kishim qëndrimin se Kushtetuta me parime konfederate ishte e mirë. Se si e mendonim ne liberalët e Serbisë barazinë e kosovarëve në atë kohë më së miri do ta kisha ilustruar nga kujtimi i një ngjarjeje. Në një kongres në Kragujevc në vitin 1971, Marko Nikeziqi më tha: ‘Po, a nuk do të ishte mirë që disa intelektualë shqiptarë të flisnin në kongres, në gjuhën shqipe? Nga ana jonë kjo do të ishte gjë e mirë, por besoj se klima në Serbi ishte e atillë sa që fjalimi në gjuhën shqipe nuk do të pranohej mirë. Pra, ai do të paraqiste vetëm një provokim të situatës”. Ne besonim në domosdoshmërinë e emancipimit (të shoqërisë serbe – S.L.), por, poashtu e dinim se ekzistonte diskriminimi dhe represioni ndaj shqiptarëve, se ata jetonin në prapambetje të tmerrshme.”
Ky fragment pasqyron një pikë mbase vendimtare në rivendosjen e çështjes së Kosovës në qendër të krizës në marrëdheniet shqiptaro – serbe, e që do të ndikojë edhe në përcaktimin e fatit të federatës jugosllave.
Në vitin 1968 u patën shpalosur dy drejtime të konfrontuara në trajtimin e çështjes së Kosovës, e cila nuk mund të priste më lënien në margjina dhe si një barrë e përhershme në menaxhimin e ngecjes së madhe të Kosovës në zhvillim krahas pjesëve të tjera të Jugosllavisë, gjë që krijonte njëdisbalancë shpërthyese. Qasjet gjysmake nuk funksiononin më: elitës nacionaliste serbe, që kishte depërtuar edhe në Lidhjen komuniste, u dukej se investimet shtesë në emancipimin kulturor dhe ekonomik të shqiptarëve do të çonin drejt largimit të pashmangshëm të Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia.
Në maj të viti 1968, shkrimtari serb Dobrica Qosiq, që pretendonte rolin e babait dhe të “kamxhikut të ndërgjegjes” kombëtare serbe, mbajti një fjalim rebelues në Plenumin e Komitetit Qendror të LKS, ku kërkoi që Kosovës dhe shqiptarëve të mos u jipet më asnjë favor, siç ishin amendamentet kushtetuese që avancuan pozitën e Kosovës në federatë. Ai e tha hapur se Kosova praktikisht ishte e humbur për Serbinë, dhe se janë mbase çastet e fundit kur ndoshta do të mund të bëhet një kthesë, që Serbia ta vazhdojë kontrollin mbi Kosovën.
Në atë plenum Qosiqi me disa bashkëmendimtarë akademikë u përjashtua nga Komiteti qendror i LKS, ku u krijua përshtypja se u riafirmua një vijë tjetër e qëndrimit të komunistëve serbë, që tradicionalisht mendonin se shqiptarëve të Kosovës u është bërë padrejtësia historike kur Serbia, në luftërat ballkanike dhe pas Luftës së Madhe Botërore e pushtoi Kosovën si trevë me shumicë absolute shqiptare, pa ua siguruar asnjë drejtë demokratike e kulturore.
Qëndrimi liberal i Marko Nikeziqit dhe Latinka Peroviqit, që na e kujton kjo e dyta, e kishte mundësuar që për një kohë të fuqizohet opsioni anti-Qosiq, dhe kjo edhe e pat fiksuar procesin e konfederalizimit të Jugosllavisë me aprovimin e Kushtetutës së viti 1974, edhe pse liberalët serbë u larguan nga pushteti në vitin 1972.
Derisa Titoja ishte gjallë, ai vdiq në vitin 1980, oponenca qosiqiane ka provuar ta bllokojë afirmimin e statusit të ri të autonomisë tejet të zgjeruar të Kosovës, ku instancat e republikës së Serbisë nuk kishin më të drejtën e interferimeve direkte në çështjet e brendshme të Kosovës.
Pas vdekjes së Titos ka qenë cështje e ditëve dhe javëve kur do të shpërthente pakënaqësia, edhe e shqiptarëve, që nuk e pëlqenin kompromisin e vitit 1974, Kosovën e donin edhe juridikisht si republikë të shtatë të federatës. Kurse serbët për synim e kishin anulimin e Kushtetutës të viti 1974, për ta kthyer Kosovën në status të vendit të pushtuar dhe kolonisë.
Në intervistën e Skender Latifit me Latinka Peroviq do të gjeni shumë informata dhe reflektime për temat që i shpalosa shkarazi në këtë parathënie. Ato mund të na ndihmojnë që të kemi observime më realiste për vështirësitë e proceseve që kanë ndodhur në ndërkohë, e që edhe më tej marrëdhëniet shqiptaro – serbe i mbajnë në një limbo të konfliktit të ngrirë, ku qasjet racionale edhe ndërmjetësimet e fuqive botërore nuk po mund të krijojnë momentumin kritik që na nxjerr nga ngërçi bllokues historik.
Që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, kur filloi kriza e Kosovës, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve janë përkeqësuar aq shumë sa që në Serbi, si dhe në Kosovë, opinioni mbizotërues për këto marrëdhënie është ai i armiqësisë shekullore që praktikisht është si një gjendje kronike dhe e pashërueshme. Mendohet se gjithnjë kemi qenë dhe gjithnjë do të jemi të armiqësuar mes veti. Ky opinion shkon edhe deri te bindja se janë të kota përpjekjet për dialog dhe krijimin e raporteve më të mira fqinjësore, dhe kjo presupozon se ne jemi në një luftë permamente, ku gjendja aktuale është ajo e armëpushimi që mund edhe të zgjas për ca kohë, por që një ditë do të kthehet sërish në luftë me fatalitete të shkallës së lartë.
Mësimet që për aktualitetin nxjerrën në të dy taboret që predikojnë luftën e përhershme janë si vijon: mirëpritet roli i KFOR-it që siguron prezencën mbrojtëse të NATO-s në Kosovë, por kjo garancë ka gjasa të mëdha të mos jetë e përhershme, andaj duhet të përgatisemi për beteja dhe luftëra të reja.
Paramendohen dhe parashikohen skenarë të ndryshme katastrofike si përfundimi i misionit të KFOR-it, luftërat e reja rajonale dhe globale…
Megjithatë, sot nuk jemi në situatën çfarë ka qenë ajo e viteve ’70, kur nuk ka mundur të formalizohet republika e Kosovës, por i është lënë kohës që Serbia të bindët se s’mund ta përmbys lehtë realiteti demografik si dhe emancipimin e shqiptarëve të Kosovës për vetëqeverisje dhe bashkëjetesë me komunitetet minoritare të Kosovës.
Sot i kemi paradispozitat tjera: republika dhe pavarësia janë fakte të afirmuara ndërkombëtarisht kështu që mund të jemi të qetë rreth kahjes së procesit. Nën presion është Serbia, ajo duhet të pajtohet me realitetin.
Latinka Peroviq është njëri prej atyre zërave të arsyes që ka ndikim të madh në qarqet e Serbisë së dytë, që me racionalitet angazhohet për raporte të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët, dhe para së gjithash shqiptarët.
(Dhjetor 2020)
Marrë nga AlbanianPost.