Fadil Hoxha & co. në botën e post-vërtetës

Fadil Hoxha & co. në botën e post-vërtetës

Opinion i marrë nga blogu Sbunker. 

Pabarazia e lartë shoqërore, fatkeqësisht, ka histori më të gjatë sesa vitet nën Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Është edhe një parti që ka qenë shumë e korruptuar, kapëse e shtetit dhe që ka qeverisur vendin dyfish më gjatë – Lidhja Komuniste e Kosovës. Shkëputja nga trajektorja e pabarazisë kërkon shkëputje edhe nga trashëgimia e asaj periudhe – gjithsesi më të diskutueshme nga përspektiva më të gjera.

Pas publikimit të rezultateve të Exit Poll-eve në lidhje me votimet e 14 shkurtit, hulumtuesi i shkencave sociale dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (deri vonë nëse nuk është ende), Besnik Pula shkroi në Twitter: “Kjo nënkupton që asnjë nga partitë qeverisëse, të zhytura në korrupsion që kanë qenë në pushtet në Kosovë gjatë 20 viteve të fundit nuk do të jenë në qeveri. Një ndryshim vërtet historik dhe mundësi ndryshimi… ”.

Tri ditë më vonë, më 17 shkurt, publicisti dhe ish-themeluesi i partisë ORA, Veton Surroi, bëri një postim në Facebook duke uruar ndër të tjerë në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës ish-liderin komunist Fadil Hoxha, por jo edhe liderët e dalë nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës si p.sh. Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Ramush Haradinaj.

Surroi nuk e thotë në postimin në fjalë, por mund të supozohet bazuar në një seri shkrimesh të tij të viteve të fundit që ai mendon se Fadil Hoxha ka bërë më shumë për pavarësinë e Kosovës sesa liderët e UÇK-së. Në librin “Këmbët e gjarprit” (2017), Surroi argumenton se përcaktimet e Hoxhës – drejt autonomisë – janë thelbësore “për ndërtimin e identitetit shtetëror të Kosovës” (fq.185). Ndërsa në të njëjtin libër (dhe shkrime tjera) vazhdimisht thekson elementin e “kapjes së shtetit” nga partitë e dala nga UÇK-ja.

Surroi gjithashtu thotë se UÇK-ja nuk kishte arritur “të strukturohej si ushtri” dhe se ajo nuk kishte “arritur ta çlironte vendin” (fq.81-2), por këtë e kishte bërë NATO-ja. Ai ngre edhe shkeljen e të drejtave të njeriut pas luftës nga strukturat e UÇK-së si për shembull kur, duke iu referuar rastit të dëshmive të Nazim Bllacës, shkruan se “u vërtetua se ekzistonte një grup njerëzish, të identifikuar si pjesëtarë të SHIK-ut [Shërbimit Informativ të Kosovës], që likuidonin kundërshtarët…” (fq.51).

Pula dhe Surroi (edhe në librin “Fadil Hoxha në vetën e parë”, 2010) ia njohin e theksojnë anët pozitive trashëgimisë së Hoxhës dhe Lidhjes Komuniste të Kosovës si krijimin e autonomisë me Kushtetutën Jugosllave të vitit 1974 dhe përparimet e ndryshme strukturore – veçanërisht në arsimimin e popullatës në gjuhën shqipe. Por kritikën e tyre të anës së diskutueshme dhe të errët të asaj periudhe, nuk e kemi parë gjer më sot.

Në vijim do të provoj të dëshmoj përse qëndrimi i tyre është joparimor, duke u fokusuar në tri argumente kryesore:

Argumenti 1: Shteti ishte i kapur dhe pabarazia ishte shumë e lartë edhe në komunizëm

Te “Këmbët e gjarprit” (fq.184-185), Surroi sugjeron se Fadil Hoxha është orientuar për opsionin e autonomisë pasi e ka kuptuar, në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore, se kërkesa për bashkim me Shqipërinë do të çonte në shkatërrim dhe çrrënjosje të popullit shqiptar të Kosovës në territorin e tij. Në këtë përcaktim, sipas tij, e ka origjinën identiteti shtetëror i Kosovës. Por njëjtë do të mund të shtrohej edhe pyetja çfarë do të ndodhte me Kosovën pa Fadil Hoxhën; a do të ishte ndoshta e bashkuar me Shqipërinë? Apo – siç ka pyetur Adem Demaçi dhe bashkëmendimtarët e tij – çfarë do të ndodhte nëse udhëheqësit shqiptarë (për shembull, pas vitit 1966 dhe më vonë kur Hoxha drejtonte komisionin për hartimin e Kushtetutës së Kosovës autonome) do të insistonin për status më të lartë politik? A do të arrihej ky status më i lartë? A do të kishte më vonë natyrë tjetër lufta për ndarje nga Jugosllavia?

Por këto sugjerime nuk janë opsione që janë ndjekur dhe përgjigjen në to nuk mund ta dimë. Prandaj duhet të gjykojmë mbi ngjarjet dhe zgjidhjet që janë ndjekur.

Në disa botime të mëhershme (p.sh. blogjeartikuj akademikë e kapituj në vëllime të edituar), kam argumentuar se periudha e Kosovës nën socializmin vetëqeverisës (1952-1989) ka qenë padiskutueshëm kombformuese nëse kombformimi do të kuptohej (siç e kupton Xhon Klarku [John Clarke]) si përpjekje për ta jetësuar kombin përmes institucioneve shtetërore, politikave dhe praktikave që përkufizojnë dhe promovojnë një mënyrë të jetesës për një komb. Me reformën kushtetuese jugosllave në vitin 1974, qe themeluar Krahina Socialiste Autonome e Kosovës (KSAK), politikat publike të saj ishin unike dhe shtriheshin në gjithë territorin, u ndërtua infrastrukturë e madhe rrugore e asfaltuar dhe hekurudhore si edhe ndërtesa publike, u diversifikua puna përmes industrailizimit, u elektrifikua pjesa më e madhe e vendit, u rrit jetëgjatësia dhe në përgjithësi cilësia e jetesës, u shënua përparim i madh në uljen e analfabetizmit dhe formësimin e sistemit arsimor e kulturor të vendit, si edhe u rrit shkalla e urbanizimit. Arritjet më të mëdha u shënuan veçanërisht në periudhën 1966-1985. Lidhja Komuniste e Kosovës, si partia e vetme që drejtonte vendin, ishte agjencia kryesore prapa këtij transformimi social.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, transformimi i Kosovës ka qenë shumë më i ulët se i të gjitha entiteteve tjera në Jugosllavi dhe me kohë kishte mbetur dukshëm mbrapa tyre. Për shembull, shkalla e punësimit nuk ka qenë kurrë më e lartë se 23%, pjesa e popullësisë së moshuar e mbuluar me pensione nuk kalonte 45%, shkalla e mbulimit të popullatës me sigurim social ishte rreth 60%, e mbulimit të fëmijëve me kujdes parashkollor rreth 2% të asaj grupmoshe. Branko Milanovic thotë se dallimi midis Sllovenisë dhe Kosovës në kuptim të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) u thellua dhe rreth vitit 1990 ishte i njëjtë me dallimin ndërmjet Spanjës dhe Hondurasit ose Anglisë dhe Afrikës Veriore (fq.77). Brenda kësaj GDP-je dhe politikave publike të vendit, shtresa rurale ishte aq thellë e nënpërfaqësuar ose e përjashtuar, sa Isabel Ströhle me të drejtë thotë se socializmi vetëqeverisës krijoji “një nënklasë shqiptare rurale”. Për shkak të këtij zhvillimi të shpërpjestuar, pabarazia shoqërore në nivel vendi ishte dyfish më e thellë se brenda Federatës dhe e afërt me shoqëritë më të pabarabarta kapitaliste të kohës (koeficienti Gini i pabarazisë në të ardhura ishte rreth 38% në kulmin e vetëqeverisjes socialiste). Përqendrimi i të ardhurave në 20-përqindëshin më të pasur të shoqërisë ishte më i lartë se sot kur pabarazia e përgjithshme është thelluar më tej. Për këtë arsye edhe jugonostalgjia është më pak intensive në Kosovë.

Një shembull ilustrues mund të jetë ai banesave të subvencionuara nga politika publike. Siç e dëshmon studimi i Rory Archer, ndonëse në Jugosllavi këto banesa financoheshin kryesisht me kontributet e punëtorëve, u jepeshin në përgjithësi shtresës së këmishave të bardha. E njëjta ka ndodhur edhe në Kosovë, ku mbi 100,000 banesa të këtilla – simboli i urbanizimit të kohës dhe premtimi i një jete moderne socialiste për të gjithë – janë ndarë përmes listave të përzgjedhura nga elita drejtuese e Lidhjes Komuniste. Në fillim të viteve 90-të, ato banesa në shumicën e rasteve patën qenë privatizuar duke u dhënë përparësi banorëve ekzistues të cilët i blenë me shuma minimale. Ja ku nisi privatizimi – i shpejtë dhe i padrejtë.

Pas luftës (1999), pabarazitë e këtij lloji – në kuptim të banimit dhe arsimimit me origjinë në socializëm – kanë krijuar dallime të mëdha sociale. Nga një pikëpamje krejtësisht e djathtë, ku shikohet inputi, në konkurse publike do të duhej të shikohej p.sh. përvoja e punës, shkollimi, gjuhët e huaja etj. Gjithnjë nga kjo pikëpamje, emërimi i shumë njerëzve nga rajone të thella rurale pa këto atribute ka qenë i barabartë me nepotizëm, korrupsion etj. Por nga pikëpamja e rezultatit, që është qasje më shumë e majtë, është dashur ndoshta pikërisht kjo ndërhyrje për të ngritur një shtresë historikisht të diskriminuar dhe të shkatërruar nga lufta.

Nëse dëshmia më e madhe e kapjes së shtetit të Kosovës pas pavarësisë është “Skandali Pronto”, ku dëgjoheshin të regjistruara diskutimet e liderëve të PDK-së – Thaçi, Veseli dhe të tjerë – duke vendosur njerëz politikisht të afërt “me Grupin e Drenicës” në pozita të sektorit publik, strategjia e tyre është mjeshtëri gjerësisht e trashëguar nga “Grupi i Gjakovës” me Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Ymer Pulën, Xhevdet Hamzën e të tjerë siç dëshmohet nga tablotë që krijohen po të lexohen mbiemrat e zyrtarëve më të lartë të atëhershëm, ditarët e Rexhep Qosjes apo edhe botimet e anës tjetër të tij, si për shembull Ekrem Murtezait e Azem Vllasit.

Natyrisht që shkaqet strukturore si lindshmëria e lartë, arsimimi i ulët dhe aftësitë e ulta profesionale kanë ndikuar në rritje më të ngadalshme gjatë socializmit. Ndoshta shoqëria kosovare e asaj kohe do të arrinte barazi më të madhe me zhvillim dhe punësim më të madh. Por, gjerësisht, e njëjta logjikë shpjegimi do të vlente edhe për periudhën e pas 1999-tës.

Ekzistojnë dhjetëra dëshmi se udhëheqja e UÇK-së u përfshi në përfitime personale e familjare dhe një kulturë të konsumit të egër, të shpërdorimeve, të arrogancës e madje edhe të poshtërimit të rivalëve politikë. Dhjetëra artikuj hulumtues i kam drejtuar vetë në Gazetën Jeta në Kosovë (2011-2013). Mirëpo ka te historia e Aferës Pronto, ashtu si edhe gjithë sjellja klienteliste e udhëheqjes së dalë nga ish- UÇK (sikurse edhe ajo e Lidhjes Komuniste), që dëshmon edhe për një kontribut të tërthortë dhe të pamohueshëm në forcimin e shtresave të caktuara në nevojë përmes punësimit dhe gjallërimit të infrastrukturës. Të gjithë indikatorët bazë socio-ekonomikë, përveç pabarazisë – natyrisht për shkak edhe të përmirësimit të strukturës sociale – janë më të mirë, ndonëse larg shteteve përreth. Dhe mbi të gjitha Kosova është e pavarur.

Pra, që të jemi konsistentë, nëse lëvdojmë Hoxhën për autonominë, duhet ta lavdëojmë edhe lidershipin e UÇK-së për pavarësinë dhe nëse e kritikojmë këtë të fundit për korrupsionin, kapjen e shtetit dhe pabarazinë, duhet të pranojmë edhe trashëgiminë dhe mësimet e nxjerra nga praktikat korruptive të Lidhjes Komuniste të Kosovës

Argumenti 2: UNÇ-ja ishte më pak ushtri dhe e çliroi vendin më pak se UÇK-ja

Siç thamë më lart, Surroi argumenton në shkrimet e tij edhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte arritur të strukturohej, pra të bëhej, vërtet ushtri. Gjithashtu, argumenton se Kosovën e çliroi NATO-ja dhe jo UÇK-ja.

Por sërish, ashtu sikur që Pula dhe Surroi nuk përmendnin edhe Lidhjen Komuniste të Kosovës si parti kapëse të shtetit dhe të korruptuar, Surroi nuk e bën të njëjtën analizë ose trajtim për Ushtrinë Nacional-Çlirimtare (UNÇ), komandant i së cilës ishte Fadil Hoxha.

Siç vërehet edhe nga libri i tij, “Fadil Hoxha në vetën e parë”, UNÇ-ja ishte edhe më e vogël në numër edhe bëri më pak beteja sesa UÇK-ja. Beteja e saj më e madhe mund të jetë zhvilluar në malet e Dragashit. Nëse UÇK-ja nuk arriti të strukturohej në ushtri, me vijë të qartë komanduese, a nuk kishte UNÇ, siç tregon vetë Fadil Hoxha, strukturim edhe më të dobët?

A nuk është gjithashtu e vërtetë se forcat partizane arritën ta “çlironin” Jugosllavinë, vetëm pasi njësitë naziste ishin në prag të kapitulimit të plotë dhe po tërhiqeshin pas humbjeve ushtarake në të gjitha frontet?

NATO-ja ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës, por kështu – me ndihmën e kontekstit ndërkombëtar – janë çliruar shumica e popujve përreth nesh. Ndërhyrja e NATO-s – edhe për shkak të kufizimit të hakmarrjeve të pasluftës – nuk e zvogëlon, por e madhështon luftën e UÇK-së dhe leximin e kontekstit ndërkombëtar të bartësve të saj.

Por teksa lartësohen të hequrat e Fadil Hoxhës maleve të Prizrenit e Gjakovës – përfshi urinë, baltën dhe mundimet për të gjetur delegatë për Kuvendin e Bujanit, a nuk kanë qenë edhe më të vështira kalimet e kufirit me Shqipërinë (1997-1999) si dhe më mbreslënëse organizimi i një force më autoktone në mjedise të përjashtuara e të prapambetura?

Fundja, përse për familjarët e Fadil Hoxhës ishte aq me rëndësi që ai të varroset nën përcjelljen e trupave të dala prej UÇK-së?

Argumenti 3: Të drejtat e njeriut janë anë shumë më e errët e “Grupit të Gjakovës” sesa e “Grupit të Drenicës”

Në librin e tij, Surroi përmend likudimet e kundërshtarëve politikë nga struktura të dala nga UÇK-ja. Në muajin nëntor 2020, Thaçi, Veseli dhe të tjerë udhëheqës të UÇK-së, të quajtur në raportime të ndryshme mediale edhe si “Grupi i Drenicës”, u akuzuan zyrtarisht nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë ndër të tjera edhe për trajtimin çnjerëzor dhe për vrasjen e civilëve minoritarë dhe të kundërshtarëve politikë.

Bazuar në të dhënat e viktimave të luftës, rreth 1,500 civilë nga minoritetet janë vrarë gjatë luftës dhe menjëherë pas saj (deri në fund të dhjetorit 2000) nga të gjitha forcat e përfshira në luftë  dhe në publik janë përmendur edhe dhjetëra shqiptarë (kundërshtarë politikë). Thaçi dhe të tjerët akuzohen për 39 raste (numri i viktimave mbetet i paspecifikuar) vrasjesh. Mbetet të shihet nëse vendimi i Gjykatës do të hedh dritë mbi to.

Por asnjë hetim dhe gjykim nuk ka ndodhur ndaj “Grupit të Gjakovës” me në krye Fadil Hoxhën. Kosova, ndryshe nga vendet e rajonit, nuk ka miratuar as rezolutën e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të regjimeve totalitare komuniste.

Në kohën kur ky formacion kishte pushtet të madh në Lidhjen Komuniste të Kosovës, me Hoxhën prijës të saj, në Kosovë kanë ndodhur ngjarje shumë më të errëta: Në librin “Kosova” (2001, fq.86), bazuar në hulumtime të arkivave, Hakif Bajrami numëron 49,000 shqiptarë të vrarë në hapësirat e mbetura nën Jugsollavi nën urdhërat e partisë ndërmjet viteve 1945-1948; Noel Malcomi, Oliver Xhens Shmiti [Oliver Jens Schmitt] dhe historianë të tjerë kanë përmendur mbi 100,000 shqiptarë e myslimanë tjerë të shpërngulur në Turqi. Ndërmjet periudhës 1945-1966, llogariten rreth 300,000 dosje të dhunës policore; Shoqata e të Burgosurve Politikë gjithashtu thotë se kanë qenë rreth 12,000 të burgosur politikë, shumica e tyre pas vitit 1966. Faktet dhe shifrat e dhunës kundër shqiptarëve në Jugosllavinë titiste, nën mbikëqyrjen, bekimin dhe madje edhe pjesëmarrjen e Lidhjes Komuniste të Kosovës të udhëhequr nga Fadil Hoxha janë aq të shumta sa që kanë mbushur faqet e librat e shkruar rreth kësaj teme nga autorë shqiptarë apo të huaj.

____

Mbështetja për të tre argumentet që parashtrova ndihmon për të dëshmuar falsitetin e përpjekjeve revizioniste të historisë tonë të ndërmarra nga Pula (argumenti 1) dhe Surroi (argumenti 1, 2, 3).

Çfarë ndryshimesh kanë përpjekjet për falsifikimin e historisë nga Pula dhe Surroi, dy shkrimtarë interesantë për t’u lexuar, nga analistët që dalin rregullisht në televizion e që Pula së fundmi i quajti manipulues dhe propagandistë? Për mendimin tim, nuk ndryshojnë aspak; të dyja palët falsifikojnë të vërtetën dhe përpiqen të manipulojnë opinionin publik në funksion të garave elektorale.

Do të doja të besoj që votuesi kosovar nuk e blen këtë “të vërtetë” të tyre: Më 14 shkurt, votuesi kosovar votoi për zhvendosje nga trajektorja e gjatë pabarazisë dhe kapjes së shtetit. Votoi për një shoqëri që përparon drejt politikave më gjithëpërfshirëse, për një shoqëri më të barabartë, më demokratike.

Por nuk jam i sigurt që nuk e blen votuesi e i zgjedhuri i ri; nuk jam as i bindur që do të çlirohemi nga zgjedhjet që na jep e kaluara. Jetojmë në një botë të plotë të post-vërtetës ku nuk jemi në gjendje të distancohemi jo vetëm nga privilegjet e trashëguara e të fitura mbi pabarazi e padrejtësi kolektive, por as nga moskuptimet, paragjykimet dhe gënjeshtrat e kulluara. Nuk ka as brejtje ndërgjegjjeje, asnjë parimësi: ka vetëm drogë pushteti!

Kështu, ja, më shkon mendja, ky pushtet një ditë do të kalojë te një bartës tjetër i biletës – mundësuar përmes studiove argëtuese, mediave sociale dhe vetëbotimeve – dhe dikush do të kërkojë me të vërtetat e veta të ngazëllyera nga Exit Poll-et që Fadil Hoxha të rivarroset në ndonjë shtet tjetër, fqinj.

Shpërndaje në: