Skandal në Drenicë: Sharje e fyerje të rënda ndaj lojtarëve të Besës, trajneri i vendësve sulmoi kundërshtarët
Drenica vazhdon të mbetet pa fitore tani e 102 ditë rresht.
Skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli nuk arriti sot më shumë se një barazim ndaj rivalëve të fundit të tabelës, Besës.
E ky rezultat i dobët duket se nervozoi tejmase “Shqiponjat e Zeza”.
Gazeta Olle nga burime të afërta me klubin e Besës mëson se kta të fundit u shanë e u sulmuan pas përfundimit të takimit.
Fillimisht ishte sulmuesi i ri, Festim Haxhiu ai që deshi ta përshëndes portierin rival, Arion Ymerin pas ndeshjes.
Por përshëndetja e tij iu kthye me të keq nga gardiani i Drenicës i cili ia ktheu atij me sharje dhe fjalë banale.
Pas këtij momenti u nxenë edhe gjakrat në fushë, teksa brenda terrenit u futën edhe trajneri i Drenicës që ishte i pezulluar për këtë takim, Bledar Devolli dhe disa pjestarë të kryesisë së skuadrës.
Trajneri nga Shqipëria dukej se inatin e kishte me Agon Xhakën, pasi që provoi ta godiste këtë të fundit dhe të futej në konflikt me të, por disa persona që ishin aty ndalën incidentin duke e larguar dhe qetësuar shefin e shtabit teknik të skuadrës nga Skenderaj.
Keq sot mund ta pësonte edhe i riu Bekim Maliqi i cili poashtu ishte gati të goditej nga një pjestar i paidentifikuar i kryesisë së skuadrës rivale, por që fatmirësisht i iku konfrontimit fizik.
Tek Drenica ishin të pakënaqur me rezultatin, e për këtë arsye edhe nuk pati prononcim për medie nga ta pas duelit.
Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh me gjithë këtë histori.