Tuchel flet pas rrëshqitjes me Southamptonin: Nuk isha i kënaqur me Hudson Odoin, prandaj e largova pas 30 minutave
Thomas Tuchel ka reflektuar në barazimin 1-1 të Chelseat si mysafir i Southamptonit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Premier League.
Mason Mount anuloi golin e epërsisë së nikoqirëve të shënuar nga Takumi Minamino në pjesën e parë, shkruan Periskopi.
Tuchel ngriti shumë vetulla kur vendosi ta largojë Callum Hudson-Odoin vetëm 30 minuta pasi e inkuadroi në pjesën e dytë.
E këtë vendim ai e komentoi në konferencë për shtyp, duke thënë: ”Nuk isha i lumtur me lëvizjet e tij trupore dhe sjelljen në presing.
”Nganjëherë marr këto vendime për të fituar ndeshje, Gabimet nuk janë problem, por nuk duhet të na mungojë energjia.
”Ishte e vështirë të krijojmë shanse dhe na duhej kundër-presingu për të detyruar gabime në topin e dytë dhe të fitonim shans të lehtë. U desh të ishim të mprehtë me kundër-presing dhe nuk e pashë këtë nga Callum sot. Nuk e ndjeva atë, por i besoj.”
Sa i përket ndeshjes në përgjithësi, Tuchel shtoi: ”Po, ne i patëm gjithë rastet dhe mundësitë për të fituar. Ishim shumë të mirë në 80 metra në fushë, por në 20 metrat e fundit nuk isha i lumtur me paraqitjen.” /Periskopi.com/