LDK ka nevojë të rithemelohet!

LDK ka nevojë të rithemelohet!

Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që hodhi themelet e shtetësisë së Kosovës prej vitit 1989, sot ndjehet e rrënuar në themelet e veta. Ajo ka arritur rezultatin më të ulët historik, i cili është në kufirin e të konsideruarit si zhdukje e partisë.

Dorëheqja e Isa Mustafës është një formalitet që nuk ja vlen të komentohet, pasi nuk është se ka ndonjë zgjidhje tjetër.  As debatet, as revanshi për sulme personale, madje dhe thirrjet për linçime, nuk do të jenë çudi në ditët në vazhdim. Por ato nuk kanë të bëjnë më me të ardhmen e LDK-së.

LDK duhet të rithemelohet.

Së pari, nuk duhet bërë gabimi i rëndë që bëri Partia Demokratike më 2013 në Tiranë, kur pas humbjes shkatërruese, nxitoi të emëronte për dy javë Lulzim Bashën kryetar partie, se i duhej Sali Berishës një eunuk në zyrën e PD. Për këtë elminoi me dhunë Sokol Olldashin nga gara, duke ndërhyrë në proces dhe duke bërë fakt të kryer zgjedhjen e Lulzim Bashës.

Prej asaj dite kurrë nuk e ngriti më kokën. Në zgjedhjet e radhës parlamentare, Partia Demokratike humbi dhe  240 mijë vota të tjera, duke mos fituar nga ana tjetër, as një palë zgjedhje dhe duke përfunduar në parti rrugësh më 2019, duke bojkotuar zgjedhjet dhe Parlamentin, vetëm nga frika e garës. Dhe tani kemi një kryetar opozite që gëzohet kur fiton Albini, se mendon që çdo opozitari i takon të fitojë.

Kjo do të ishte katastrofë për LDK-në. LDK nuk duhet të nxitojë të zgjedhë dikë që e mbështet qoftë Isa Mustafa, qoftë kundërshtarët e tij. Çdo njeri i dalë nga luftë klanesh dhe bërrylash, as e bashkon dot LDK-në, as e ndihmon dot atë të ringrihet dhe as ngjall besim. Thjesht do ta zhysë dhe më thellë.

Ndaj duhet hequr dorë nga vrapimi për të bërë zëvendësimin urgjent, pa një platformë bashkimi dhe rithemelimi të LDK-së. LDK duhet të hapë garën, duhet të debatojë për idetë e bashkimit dhe pastaj të prodhojë liderin e ri.

Së dyti, LDK duhet të heqë dorë nga të spekuluarit me rugovizimin si teori politike magjike, që u zgjidh atyre problemet kur janë në hall. Rugovizmi në të cilin thirren shumë liderë mediokër të LDK-së, është një eufemizëm, që ata e përdorin për mungesë fjalori, ngaqë nuk kanë ndonjë ide se si të duken të rëndësishëm.

Rugovizmi ka qenë autoritet moral i Ibrahim Rugovës. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Brenda atij autoriteti moral, ishte fuqia që mbante të bashkuar LDK-në, përkundër mungesës së demokracisë apo rregullave që dhe atëhere kishin plot probleme.

Rugovizimi ishte kapaku i tyre, ishte mburoja e tyre, por nuk ishte zgjidhja e tyre. Rugovizmi iku bashkë me Ibrahim Rugovën dhe problemet dolën në shesh deri sa LDK shkoi 13 për qind. Ndaj rugovizëm pa Rugovën nuk ka më, dhe ai nuk mund t’i ndihmojë nga bota e përtejme. Për këtë arsye dhe nuk duhet spekuluar më me këtë term.

LDK ka nevojë për një neorugovizëm, që të zëvendësojë autoritetin e tij moral me rregulla dhe besim që ri-afrojnë bazën e tij elektorale në emër të historisë politike të LDK. Çdo gjë tjetër është demagogji, që gënjejnë veten.

Së treti, që është dhe më e rëndësishme, LDK duhet ta shikojë realisht opsionin e një Kuvendi rithemelues të saj. E kanë bërë shumë parti të djathta europiane. E ka bërë e djathta e Shirakut, me Alen Zhype më 2002, e ka bërë Berluskoni, e kanë bërë dhe shumë parti të ish- Lindjes komuniste.

Rithemelimi është një akt i madh pajtimi me gabimet e së shkuarës, që rimbledh dhe fton në një garë të re të gjithë ata që ikën, u dorëzuan apo u fyen këto tridhjetë vjet politikë. Ata riftohen në shtëpinë  e tyre politike për të vendosur rregulla të reja dhe për të nisur një histori të re.

Ky akt politik ka nevojë për kurajo, për një bërthamë të re njerëzish, pa komplekse për të shkuarën, që i hedhin dorën në qafë çdo themeluesi të LDK, çdo mbartësi të vlerave të saj në vite dhe çdo të zhgënjyeri prej saj. Vetëm duke krijuar një klimë përulje, ndjese dhe autokritike ndaj njëri- tjetrit, ata mund të përçojnë të njëjtën gjë në shoqëri. Një parti fodulle, që nuk pranon gabimet e veta, që i rutinizon ato dhe i quan pa rëndësi humbjet e bazamentit politik, nuk e bind dot shoqërinë të ndryshojë qëndrim ndaj saj. Përsëri do refuzohet.

LDK duhet të marrë seriozisht këtë proces rithemelimi dhe pas asaj, nga ky proces të nxjerrë liderin e ri.

Deri atëhere ajo mund të drejtohet nga një bërthamë njerëzish të rinj konsensualë, të ngarkuar për riorganizimin, të cilët duhet të përgatisin këtë klimë politike, nga e cila LDK mund të ringjallet.

përpjekje për makiazh të shpejtë, për emra të përveçëm apo preferenca të grupeve të ndryshme, nuk do të prodhojë asnjë ndryshim. LDK duhet të rihemelohet duke bindur shoqërinë që ndryshoi vetë, ndryshe nuk ka asnjë të ardhme.

Çdo iluzion se një emër i ri mund ta ringrejë atë mbi gërmadhat ku është shembur, do mbetet një iluzion, nëse nuk fillon ta zgjidhë problemin aty ku ka filluar. Nuk mund të lindë një lider i ri, nga trupi i një partie të vdekur.

Shpërndaje në: