Cilat janë simptomat e Covid-19? Studimi i ri flet edhe për kokëdhimbjen dhe dridhmat
Pas një viti me pandeminë, shumica e njerëzve e dinë se ka tre simptoma klasike të Covid-19shit: kollitje e re dhe e vazhdueshme, ethe dhe humbje e shijes dhe nuhatjes.
Këto janë shenjat e pranuara edhe nga autoritetet shëndetësore, që thonë se shumica e njerëzve që kanë përjetuar virusin kanë pasur të paktën njërën nga këto simptoma. Humbja e nuhatjes u shtua së fundi edhe në listën zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar në majin e 2020-s.
Tash, një studim i ri po sugjeron se mund të ketë edhe një indikacion të katërt të Covid-19shit, shkruan Independent, përkthen Periskopi.
Të dridhurat, humbja e apetitit, kokëdhimbja dhe dhimbja e muskujve mund të shtohen në këtë listë mes shenjave të sëmundjes pas një studimi të bërë me më shumë se 1 milion njerëz në Angli.
Hulumtuesit kanë ekzaminuar testimet me shtupë dhe me pyetësorë si pjesë të studimit nga Kolegji Imperial i Londrës, të mbajtur mes qershorit 2020 dhe janarit 2021, me rezultatet që tregojnë te nevoja potenciale për të përditësuar udhëzimet.
Paul Elliot, drejtor i programit React [Reago] në këtë kolegj, tha: “Këto gjetje të reja mund të sugjerojnë se më shumë njerëz me Covid-19 nuk do të testohen – dhe prandaj nuk do të izolohen – sepse simptomat nuk përputhen me ato të udhëzimeve për të ndihmuar në identifikimin e njerëzve të infektuar.” /Periskopi