Qeveritë po e përdorin pandeminë, si pretekst për të mohuar të drejtën e protestës

Qeveritë po e përdorin pandeminë, si pretekst për të mohuar të drejtën e protestës

Viti 2020, testoi në shumë mënyra demokracinë dhe liritë qytetare. Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë shpallin në mars pandeminë e koronavirusit të ri, qeveritë ndërmorën veprime të papara, si vendosjen e shtetrrethimit, kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe kufizimin ose ndalimin e tubimeve.

Sipas ligjit ndërkombëtar, disa nga këto masa shkuan përtej kufijve të lejueshëm për kufizimin e të drejtave gjatë emergjence të shëndetit publik, kufij që synojnë të sigurojnë që masat e tilla të jenë“proporcionale, të nevojshme dhe jo diskriminuese”

Në raportin e tij të fundit, Monitori CIVICUS – një uebsajt në internet që gjurmon hapësirën e shoqërisë civile në mbarë globin – tregon se qeveritë e shteteve të BE-së, Norvegjia dhe Britania kufizuan me elegancë liritë qytetare, shpesh nën maskën e luftimin e pandemisë.

Më konkretisht, ato sulmuan të drejtën demokratike të tubimit paqësor.

Nuk është për t’u habitur që qeveritë autoritare dhe të ekstremit të djathtë si Hungaria, Polonia dhe Sllovenia e shfrytëzuan më së miri pandeminë, edhe pse në mënyra të ndryshme, të nxitura nga motive të ndryshme politike dhe kontekste politike lokale. Megjithatë, edhe në vendet ku njerëzit ishin në gjendje të ushtronin liritë e tyre qytetare pa pengesa të mëdha, si Suedia, pati shkelje. Në të njëjtën kohë, shoqëria civile e intensifikoi reagimin e saj dhe shpesh ndërhyri kur qeveritë po shkonin shumë përtej asaj që ishte e nevojshme dhe proporcionale për të luftuar pandeminë.

Shkeljet kryesore në vendet e BE-së që regjistroi monitoruesi përfshinin ndalimet, censurën, ligje kufizuese, përdorimin e tepruar të forcës, frikësimin dhe ngacmimin. Të dhënat paraqesin një pamje të qartë dhe shqetësuese:e drejta për tubim paqësor në Evropë,është nën kërcënim.

Pandemia e ka komplikuar më shumë situatën, pasi qeveritë po e përdorin atë si pretekst për të kufizuar më tej hapësirën qytetare. Ndërsa qeveritë kanë pohuar se po vendosnin masa për të luftuar pandeminë, ato kanë qenë shpeshherë kontradiktore, dhe e kanë kufizuar shumë të drejtën për tubime paqësore.

Këtë kontradiktë e dëshmojnë 2 shembuj. Së pari, kur kufizimet për shkak të koronavirusit u lehtësuan në verën e vitit 2020, qeveritë në disa vende i lejuan njerëzit që të mblidheshin në një numër më të madh në vendet fetare, qendrat tregtare apo restorantet, por vazhduan t`a kufizonin numrin e njerëzve që lejoheshin të mblidheshin për të protestuar.

Kjo ndodhi në Suedi, ku me nisjen e valës së dytë të pandemisë, qeveria ndaloi mbledhjet publike të më shumë se 8 personave, edhe kur lejonte që grupet kolektive të takoheshin në restorante, aktivitete sportive dhe në vende të tjera të ngjashme.

Në Francë, protestat mbetën të ndaluara, dhe qeveria e zbatoi këtë ndalim me një ashpërsi të habitshme edhe kur tubimet ishin të mundshme në mjediset kulturore. Së dyti, autoritetet e zbatimit të ligjit përdorën një forcë të tepruar për të shpërndarë protestat për shkeljen e masave kufizuese për shkak të pandemisë.

Kjo gjë u pa në Poloni gjatë protestave që nisën në tetor 2020 kundër një ndalimi gati të plotë të abortit, kur protestuesit u përballën me dhunën e policisë dhe ndalimin. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, policia përdori taktika të ndryshme të ashpra gjatë protestave të “Black Lives Matter” në maj 2020, që përfshinin edhe heqjen e maskave të fytyrës së protestuesve për t’i identifikuar ata.

Në Berlin, shumë protestues u arrestuan kur 15.000 njerëz u mblodhën për të protestuar kundër brutalitetit të policisë. Ngjashëm, policia franceze përdori gaz lotsjellës dhe forcë të tepruar gjatë një marshimi feminist në Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Disa shembuj të tjerë të ngjashëm u shfaqën diku tjetër në Evropë. Në Greqi, policia përdori forcë të tepruar kundër protestuesve emigrantë, që po ngrinin zërin për kushtet e këqija të jetesës brenda kampeve të refugjatëve.

Gjithashtu policia përdori forcë të tepruar kundër protestave antiqeveritare në Slloveni për shumë muaj kur demonstruesit dolën rregullisht në rrugë çdo javë. Pavarësisht nga pandemia e koronavirusit dhe kufizimet e pashembullta, njerëzit kanë vazhduar të dalin në rrugë si dikur.

Por ata kanë organizuar ndërkohë protesta të distancuara fizikisht, krijuese, simbolike dhe në internet. Klementyna Suchanow,që ka bashkë-themeluar lëvizjen sociale “Greva e Grave Polake thotë se “ne u bëmë kreative dhe shpikëm forma të reja proteste, pasi u detyruam nga rrethanat”.

Edhe lëvizjet e protestës kundër qeverisë, gjetën mënyra të reja për të demonstruar. Në Kroaci, grupi i shoqërisë civile “Zagrebi Po Ju Thërret”, organizoi protesta në ballkon kundër qeverisjes së dobët të kryeministri gjatë pandemisë, por edhe menaxhimin e pasojave të tërmetit të marsit 2020.

Në Slloveninë fqinje, aktivistët kanë organizuar protesta me biçikleta kundër qeverisë së kryeministrit Janez Jansa. Shembuj të tillë, tregojnë se shoqëria civile po demonstron solidaritet dhe qëndrueshmëri. Ajo po dërgon një mesazh të qartë:edhe në mes të një pandemie globale që ka ndalur shumë aspekte të jetës, njerëzit kurrë nuk do të pushojnë së luftuari për liritë e tyre themelore.

Shpërndaje në: