Hashim Thaçi në një linjë me Daçiçin dhe Del Ponten!
Të gjithë prokurorët që kishin lëndët e sajuara kundër luftëtarëve të UÇK-së, qofshin prokurorët e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, qofshin ata që udhëhiqnin proceset gjyqësore në Kosovë, kur ballafaqoheshin me mungesa provash arsyetoheshin se gjoja “dëshmitarët ishin kërcënuar apo vrarë”. Kjo formë e justifikimit ishte e njohur si formë që paraprakisht kishin përdorur prokurorët dhe gjyqtarët serbë dhe që ishte përvetësuar nga Carla del Ponte dhe disa prokuror të UNMIK-ut dhe të EULEX-it.
Krahas prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë e ndërkombëtar akuzat për gjoja kërcënimin e dëshmitarëve ose vrasjen e tyre e përsëritnin edhe politikanë serbë të sortës së Koshtunicës, Tadiçit, Daçiçit, Vuçiçit, Nikoliçit dhe ndërkombëtarë qofshin të spektrit fashist ose komunist të llojit të Le Penit dhe të Luc Melencon apo të neonazistit Undo Voigt…Dhe në fund kësaj akuze të rrejshme iu bashkua edhe Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të vendit.
Arsyet pse Carla del Ponte dhe zyrtarët Serbë i kanë bërë këto akuza kundër Kosovës janë të shpjegueshme, ata i ka bashkuar armiqësia ndaj Kosovës dhe SHBA-ve.
Mirëpo përsëritja e akuzave të njëjta nga presidenti i vendit Hashim Thaçi është shumë më e rëndë. Është shumë më e rëndë sepse armiqtë e Kosovës do ta përdorin si argument përpara të gjithë atyre që kishin dilema mbi vërtetësinë e këtyre akuzave. Kjo deklaratë e papërgjegjshme e Presidentit të Kosovës është thikë pas shpine UÇK-së dhe implikim i drejtpërdrejtë në fshehjen e kriminelëve që kishin kryer krimet që u mvishen luftëtarëve të lirisë.
Për mua, ky veprim i Hashim Thaçit përbën një përpjekje dëshpëruese të tij për të ndërruar statusin e tij personal në raport me Gjykatën Speciale. Në të ardhmen do të shihni se si kjo deklaratë e tij në të gjitha proceset që do të mbahen nga Gjykata Speciale do të përdoret si dëshmi nga prokurorët kundër të akuzuarve dhe kundër Kosovës. Pra, përmes kësaj deklarate Hashim Thaçi i vetë ofrohet Gjykatës Speciale si dëshmitar. Vetëm se ky jo sikur dëshmitar i mbrojtur! Mbase anonim?