Ky është seriali që bëri histori në Netflix, me 82 milionë shikues brenda muajit
Me siguri keni dëgjuar për “Bridgerton”, por a dinit se është bërë seriali më i shikuar në historinë e Netflix?! Me 82 milionë shikues në 28 ditët e para të programit, seriali theu të gjitha rekordet. Njoftimi vjen nga platforma Netflix, që duke pasur parasysh suksesin e madh, njoftoi javën e kaluar se do të ketë një sezon të dytë.
Seriali i krijuar nga Chris Van Dusen dhe prodhuar nga Shonda Rhimes, bazuar në romanet e Julia Quinn, emocionoi audiencën me ngjarjet e vendosura në botën e shoqërisë së lartë të Londrës gjatë regjencës angleze. Protagonistja e sezonit të parë është Daphne Bridgerton (e interpretuar nga Phoebe Dynevor) e cila, në debutimin e saj në shoqërinë e lartë, do të takojë Dukën e Hastings (i luajtur nga Regé-Jean Page), Simon, një beqar dhe mik i mirë i vëllait të saj, Anthony-t.
Episodet u shfaqën premierë në platformë 25 dhjetorin e kaluar dhe disa media amerikane e përshkruan atë si një përzierje të suksesshme midis “Gossip Girl” dhe “Downton Abbey”.
“Unë besoj se shfaqja i ofron publikut një udhëtim të pabesueshëm në kohë, kur kjo është pikërisht ajo që u nevojitet”, -tha skenaristi Van Dusen në një intervistë.