Fjolla Morina mund të dënohet me 20 vjet burg
Këngëtarja shqiptare mund të dënohet me 20 vite burg.
Fjolla Morina po vijon të qëndrojë në arrati prej ditës së mërkurë, kur edhe Policia e Kukësit konstatoi mungesën e saj në banesën ku duhet të qëndronte në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Tashmë ajo do të duhet të përballet me dy akuza në Gjykatën e Kukësit. Përveç akuzës së “Trafikut të armëve dhe municionit”, këngëtarja do të përballet edhe me akuzën e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Kjo pasi këngëtarja kosovare nuk është gjetur në banesën ku duhet të qëndronte pas vendimit të dhënë nga Gjykata. Policia e Kukësit njoftoi se po bëhen kërkime për kapjen e këngëtares 34-vjeçare.
“Më datë 20.01.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’, në ngarkim të shtetases F. M., 34 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila është me masë sigurie ‘Arrest në shtëpi’, të caktuar nga Gjykata e Shkallës Parë Kukës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia nuk është gjetur në banesë. Po punohet për kapjen e saj”, thuhet në njoftimin e Policisë.
ARRATISJA
Sipas burimeve nga Policia e Kukësit, këngëtarja kosovare nuk është gjetur në banesën ku duhet të qëndronte pas vendimit të dhënë nga Gjykata. Arratisja e këngëtares është pikasur ditën e mërkurë nga punonjësit e Policisë, të cilët kanë shkuar në banesën e marrë me qira nga këngëtarja pranë komisariatit. Sipas burimeve, punonjësit e Policisë kanë shkuar për të kryer procedurat, ku Fjolla Morina duhet të firmoste për të vërtetuar se po qëndronte në banesë ashtu siç edhe kishte urdhëruar Gjykata.
Por, edhe pse punonjësit e Policisë pritën për disa minuta pas dere, këngëtarja nuk e ka hapur atë. Kjo ka ngritur dyshimet që ajo mund të jetë arratisur prej aty, ndërsa janë njoftuar më pas strukturat e Policisë për të kryer edhe një kontroll më të imtësishëm në banesë.
Nga kontrolli i kryer, ka rezultuar që Morina nuk ishte e pranishme në banesën që duhet të qëndronte, si pasojë e arrestit shtëpiak.
Kujtojmë që këngëtarja u kap vitin e kaluar në kufi me 2 armë, së bashku me dy persona të tjerë me të cilët udhëtonte, me biznesmenin Fisnik Syla, me të cilin edhe është martuar së fundmi dhe shoferin Fitim Muji.
GJYQI
Pak ditë më parë, Gjykata e Kukësit ka zhvilluar seancën paraprake ndaj këngëtares Fjolla Morina, e akuzuar për “Trafik të armëve dhe municioneve”.
Në këtë seancë, Fjolla Morina ka kërkuar që të gjykohet me gjykim të shkurtuar, me qëllim që ajo në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të përfitojë 1/3 e uljes së dënimit. Ndërsa, ka pranuar akuzën me të cilën dosja ka kaluar në gjykim.
Ndërkohë, për të dashurin e saj, Fisnik Syla dhe shoferin e tij, Fitim Muji, Gjykata ka vendosur ta pushojë ndjekjen penale, për shkak se ndaj tyre nuk ka prova që mund t’i implikojnë në trafikun e armëve.
Fillimisht, dosja në ngarkim e këngëtares Fojlla Morina u dërgua në Gjykatë me akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve”, por më pas gjatë zhvillimit të seancës paraprake, gjyqtari i çështjes urdhëroi Prokurorinë që të ndryshojë akuzat nga “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve” në “Trafikim të armëve dhe municioneve”.
Fjolla Morina qëndronte në qytetin e Kukësit nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, por ditën e djeshme është vënë re se kjo masë është thyer nga ana e saj.