Mashtrimi që s’ishte mashtrim
Gjendja e mirëqenies së secilit shtet pasqyron shpirtin e atij shteti. Merreni shembull Holandën, një shtet egalitar por po ashtu me rrënjë të thella kalviniste dhe burokratike. Përfitimet sociale që ofron Holanda janë mjaft gjeneroze. Pabarazia në të ardhura është ndër më të voglat në Bashkimin Evropian. Por përfitimet sociale janë subjekt i rregullave të komplikuara që kanë për qëllim të përjashtojnë ata që s’i meritojnë. Përgjatë dekadës së kaluar, sistemet që kishin për qëllim të ndalonin abuzimin me përfitimet për kujdesin e fëmijëve gabimisht kishin etiketuar më shumë se 20 mijë prindër si mashtrues, me shumë prej tyre që i zhytën në skamje. Më 15 janar, Mark Rutte, kryeministri, bashkë me gjithë kabinetin e tij dhanë dorëheqje pas skandalit. Kjo mund të lajmërojë një kthim modest në të majtë për politikat sociale të Holandës.
Kujdesi për fëmijë në Holandë është privat, por autoriteti i taksave iu bën prindërve lehtësime për të paguar faturat, varësisht prej të ardhurave që marrin. Pasi z.Rutte dhe partia e tij e qendrës së djathtë morën pushtetin më 2010, ligjet për të luftuar mashtrimet u forcuan e përforcuan vazhdimisht, veçanërisht më 2013 kur mashtrues bullgarë u gjetën se po përfitonin nga pagesat. Autoritetit të taksave iu dhanë fuqi shtesë për të ndjekur mashtrimet.
Disa avokatë holandezë filluan të pranonin ankesa nga prindërit që jo vetëm i kishin humbur përfitimet por edhe ju ishte thënë t’i kthenin të gjitha paratë që kishin marrë. Ata që nuk kishin kthyer paratë shpejt madje edhe ishin gjobitur. Pa kujdesin për fëmijë, shumë prindër humbën punët e tyre. Disa i humbën edhe shtëpitë. Mes tyre një numër tepër i lartë kishte të kaluar prej emigrantësh. Prindërve iu desh ta dëshmonin se kishin aplikuar në mënyrë korrekte, por kur e dëshmuan, autoriteti i taksave nuk përgjigjej.
“Premtonin se do t’i kontrollonin [dëshmitë], dhe më pas ju s’dëgjonit kurrë prej tyre,” – tha Leigh-Anne Janssen, qytetare me nënshtetësi të dyfishtë që ishte studente me një vajzë të vogël kur përfitimet e saj ishin ndërprerë në vitin 2014. Ajo me burrin e saj, që është turko-holandez, u urdhëruan që të kthenin mbrapsht 30 mijë euro. Shkaku që autoritetet refuzuan të ofronin dëshmi, prindërit as s’mund të apelonin.
Një raport nga ombudspersoni në vitin 2017 kishte kritikuar autoritetin e taksave për keqtrajtimin e prindërve, e megjithatë përfitimet për ta ndaluan. Hetimet parlamentare merrnin informacione të pakta nga ministrat, me seksione të mëdha që ishin redaktuar. Deri në fund të 2019-s, qeveria pranoi keq-bërjen e saj dhe vuri një fond për kompensim [i vlerësuar 1.3 miliardë euro], por gati asnjë pagesë nuk është kryer. Në korrikun e vitit të kaluar, autoriteti i të dhënave personale zbuloi që shërbimi i taksave kishte përdorur algoritmet në të cilat prindërit me nënshtetësi të dyfishtë [të tillë si znj.Janssen me të burrin] etiketoheshin si të dyshuar për mashtrues. Kjo shkeli kushtetutën.
Goditja e fundit për qeverinë ishte një raport parlamentar në dhjetor që etiketoi keqtrajtimin e qytetarëve si “padrejtësi të padëgjuar”. “Kishte disa gjëra vërtet shumë të ndyra: profilizimi etnik, listat e zeza, dhe qytetarët e etiketuar si mashtrues për asnjë arsye dhe qytetarët e shkatërruar financiarisht,” tha Pieter Omtzigt, deputet që ishte instrumental në zbulimin e skandalit.
Dorëheqja e kabinetit qeveritar është në një kuptim gjest bosh: zgjedhjet e përgjithshme veçse ishin caktuar për 17 mars. Z.Rutte po garon sërish, me sondazhet që tregojnë se është bindshëm i pari. I vetmi lider partie që ka dhënë dorëheqje është Lodewijk Asscher i Laboristëve, që kishte shërbyer si zv.kryeministër derisa ishin zhvilluar politikat anti-mashtrim. Duket e pamundur që z.Rutte, që kishte udhëhequr Holandën gjatë skandalit të përfitimeve, të përballet me ndonjë pasojë politike.
Sidoqoftë, partia e tij [vvd-ja] thotë se është e gatshme të diskutojë propozimet nga partia Laboriste dhe ajo e Gjelbër për financim direkt qeveritar për kujdesin për fëmijë. Z.Rutte së fundi ka lëvizur paksa nga ortodoksia e tij për qeveri sa më të vogël, duke thënë se pandemia kishte shfaqur dëshirën e publikut për “shtet të fortë”.
Prindërit të paktën po marrin pakëz drejtësi. Qeveria ka premtuar se do të kompensojë çdo familje me të paktën 30 mijë euro.
“Gjithë këto vite kemi dëgjuar se është shumë komplekse, se asgjë s’mund të bëhet,” tha Eva Gonzalez Perez, avokate që përfaqëson 40 familje. “E tash papritmas po mundet?”
*Artikull i përkthyer nga The Economist.