Ç’kuptim ka ngjyra lejla në veshjet e Michelle Obama, Hillary Clinton dhe Kamala Harris
Pas shumë trazirash dhe incidentesh me pasoja fatale, dita e inagurimit të presidentit të ri erdhi! Joe Biden është zyrtarisht në krye të Amerikës. Gjatë ceremonisë zyrtare nuk mungoi as prania e çiftit Obama dhe Clinton, por çfarë nuk kaloi pa u vënë re ishin veshjet e ish-Zonjave të Para.
Michelle Obama u shfaq e veshur nga koka tek këmbët me lejla të vrarë në vishnje, sikurse Kamala Harris dhe Hillary tek të cilat mbizotëronin gjithashtu nuanca të ndryshme të lejlasë.
Zëvendëspresidentja, Harris u shfaq e veshur me një pallto ngjyrë lejla të cilën e kishte kombinuar edhe me veshjen e brendshme.
E vetmja e veshur me blu, ishte Zonja e Parë e Amerikës, Jill Biden. Sigurisht, ngjyrat e zgjedhura nuk ishin rastësore, por çfarë simbolizon lejlaja?
Deri më tani, thuhet se veshja e zonjave përfaqëson bashkimin e Amerikës si një e tërë. Kombinimi i ngjyrës së kuqe (që përfaqëson partinë Republikane) dhe ngjyrës blu (Partia Demokratike) përftohet ngjyra lejla. Pra thënë ndryshe, një bashkim i dypartive me më shumë mbështetje nga amerikanët ndër vite.
Nëse ju kujtohet, në 2016-ën, kur Trump fitoi presidencën, Clinton u shfaq e veshur me po të njëjtën ngjyrë, ndërsa Bill Clinton kishte vendosur një kollare në ngjyrë lejla.
“Ne e kemi parë që kombi ynë është më i ndarë nga ç’e kemi menduar, por unë besoj tek Amerika dhe do besoj gjithnjë. Nëse besoni dhe ju duhet ta pranoni këtë rezultat dhe të shihni drejt të ardhmes.”-u shpreh ajo asokohe.
Lejlaja (bashkë me jeshilen dhe të bardhën) janë gjithashtu ngjyrat e flamurit të “suffragette”- flamuri që përfaqëson lëvizjen e anëtareve të organizatave të famshme të grave në fillim të shekullit të 20-të, të cilat luftuan për të drejtat e votës në zgjedhjet publike.
E njohur gjithashtu si ngjyrë mbretërore, lejlaja lidhej me dinjitetin dhe instiktin për liri të çdo gruaje që kërkonte të drejtën e votës.
Burimi: Cosmopolitan