Mendimet e tmerrshme që ka çdo grua pak ditë para periodave

Mendimet e tmerrshme që ka çdo grua pak ditë para periodave

Shumë gjëra ndodhin në mendjen, zemrën dhe trupin e një gruaje pak ditë para periodave. Aknet; dhembje gjoksi; fryrje; këputje; humor aq i luhatshëm sa mund të ilustrohet në një grafik EKG-je.

Normalisht, kjo fazë nis një deri në dy javë përpara menstruacioneve. Pra, dy javë çdo muaj, ti ndihesh si një gabim i natyrës, mallkon shoqërinë dhe realitetin dhe çdo takim me pasqyrën është një grusht për vetëbesimin. Dhe pastaj vijnë ato: dhimbjet e mesit që një burrë nuk mund t’i kuptojë kurrë, sepse nuk krahasohen me asnjë lloj simptome tjetër. Është një lloj i veçantë dhimbjeje që të lëshon përtokë, e padobishme si një rrobë e palarë.

Prandaj më e pakta që mund të bëjnë shokët tanë meshkuj, është të na shkojnë pas fijes sepse, dijeni se nuk jemi vetvetja. Periodat do të vijnë, do të na shpupurisin flokët dhe pastaj do të ikin, dhe ne do të shndërrohemi përsëri në gratë e mrekullueshme plot ëmbëlsi, të duruara dhe të hareshme që çdokush do të donte t’i mbante afër.

Mendimet që na bashkojnë të gjithave gjatë atyre ditëve?

1. “Jam shëndoshur!”

Kjo është forma e përhapur e panikut përpara/gjatë periodave. Uria përpara ciklit e mposht betimin për dietë të përjetshme.

2. “Sa jam shëmtuar! Kur isha e vogël isha më e mirë”

Aknet janë thjesht një pretekst për ta urryer veten në çdo aspekt. Një puçërr shikon, dhe të mbushet mendja top se rinia dhe freskia jote kanë marrë fund, se po të shkatërrohet lëkura dhe e gjithë jeta jote po merr për poshtë.

3. “Jam një person me paqëndrueshmëri mendore”

Përgjatë dy javëve të fundit e ke ndier veten më të qetë. Ke menduar “po piqem, po rritem, më në fund kam filluar të arsyetoj si një njeri normal”. Pastaj të gjitha përpjekjet e tua shemben një mëngjes kur zgjohesh me moralin përtokë, dhe nuk arrin t’i japësh një shpjegim. E vetmja arsye që të vjen ndërmend për këtë rënie të papritur të motivimit për jetën është se je një person thellësisht i paqëndrueshëm. Parimet, besimi dhe qëllimet e tua në jetë befas e humbasin kuptimin.

4. “Jam një qaramane e pashpresë”

Bëhesh befas aq e ndjeshme sa fillon të qash edhe për tingullin e shiut që troket mbi xham. Nuk është aspak ide e mirë të të çojnë për të parë ndonjë film në kinema, qoftë ai komedi. Lëre pastaj ndonjë koment i rëndomtë mbi majat e flokëve, që të janë djegur. Pa një të qarë të mirë, nuk kalohen periodat.

5. “Askush nuk më do!”

Prekesh aq shumë nga çdo gjë, sa një mungesë e vogël vëmendjeje të bën të mendosh se askush nuk do t’ia dijë për ty. Shkalla e vëzhgueshmërisë rritet me 150 % dhe ndonjëherë, një pulitje sysh të jep përshtypjen se tjetri s’e ka mendjen tek ato që i thua. Ndihesh vetëm, vetëm, vetëm, por mos harroni: do të kalojë!

Burimi: Women’s Health

Shpërndaje në: