Yrneku i qeverisjeve të Kurtit janë Agim Bahtiri, Mytaher Haskuka dhe Shpejtim Bulliqi
Shkruan: Ismail Tasholli
Mendja hipokrite
“Politika e ka një qëllim dhe ai qëllim është emancipimi i shoqërisë”.
Për vite të tëra kështu na është predikuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
Nuk po i qasemi këtij qëndrimi nga kontekste të caktuara të historisë politike, ku kjo e fundit përjetohej si emancipim. Sepse ta përjetosh politiken si instrument ekskluziv të emancipimit do të thotë ta pedagogjizosh atë, dhe politika nën kategoritë pedagogjike ka përfunduar shpesh në Aushvic dhe Gulag. Në rastin më të butë ka krijuar aksione të dhunshme punuese.
Nuk po e komentojmë as nga perspektiva etike, sepse kur thua që politika duhet ta ketë qëllim emancipimin shoqëror, aludimi në këtë qëndrim është presupozimi që kjo shoqëri është e prapambetur. Vështirë për t’u argumentuar.
Po ashtu, nuk po e problematizojmë që emancipimi si diskurs përdorej bash nga mendësia imperialiste e neoimperialiste, gjë që VV dhe Kurti e kanë shumë mërzi, për të arsyetuar çdo eksploatim të vendeve tjera. Ata thoshin “nuk po shkojmë të marrim pasurinë e atij vendi, por ta “edukojmë” shoqërinë e atij vendi”.
Po e marrim si të saktë dhe tendencë fisnike të politikës së VV-së, që sheh vetveten si mjet për emancipim dhe mbi këtë premisë ndërton diskursin e saj politiko-publik.
Por, po e analizojmë nga perspektiva e mendimit silogjistik, që VV e ka merak, nëse premisat janë të vërteta atëherë edhe konkluzioni duhet të jetë i vërtetë.
Nëse VV dhe Kurti thonë se politika duhet të jetë mjet dhe qëllim për emancipim, pyetja e natyrshme që vjen është: Cilët janë shembujt konkret që dhanë këta, cilat janë premisat që garantojnë këtë rezultat?
Premisat ose yrneku i qeverisjeve të Kurtit janë: Agim Bahtiri, Mytaher Haskuka dhe Shpejtim Bulliqi.
Duhet t’i analizojmë këta për ta nxjerr një konkluzion të saktë të pretendimeve të Kurtit për një politikë emancipuese.
Agim Bahtiri, kryetari i komunës së Mitrovicës që udhëhiqet nga VV, është një person që në një fjali, të thënë apo të shkruar, bën më shumë gabime se që prodhon shkronja. Një tyxhar, prodhim i kapitalizmit oriental që përfaqësoka emancipimin si qëllim në politikë? Premisa e parë.
Mytaher Haskuka, kryetar i komunës së Prizrenit po ashtu i VV-së, është njeriu që e shpërbleu babën e tij me një grant prej shpije; një pjesë e stafit komunal të të cilit më shumë kohë kalojnë nëpër gjyqe se në komunë, për shkak të aktakuzave, po përfaqësoka emancipim? Premisa e dytë.
Shpejtim Bulliqi, po ashtu nga VV-ja, kryetar i sapo zgjedhur i Podujevës, me diplomën ekskluzive që i garantonte autoritet të veçantë për demarkacion, mori fasadën e shkollës për të ndërtuar shtëpinë në tokën e uzurpuar, mendoni ju se është shembulli që po u jepet qytetarëve për emancipim? Premisa e tretë.
Këto tri premisa, që fondament kanë faktet, mund ta nxjerrin një konkluzion të saktë për mendësinë e Vetëvendosjes dhe Kurtit në politikën tonë: makiavelizmin pa asnjë kandar dhe skizofreninë politike të tyre.
Të thuash që këta përfaqësojnë emancipim dhe mos të lëvizë syri para qytetarëve, ose duhet të jesh i trentë ose hipokrit me dokumente. Ata që kanë lexuar më shumë se dhjetë libra në jetë, le t’ia shtijnë lapsin.