Armiku i vërtetë i Albin Kurtit
Të gjithë janë rastësorë në politikën tonë, përveç njërit. Në tufën e parë ishin do politikanë ‘të pagdhendur’ që e morën pushtetin duke ardhur nga fshatarësia e varfër e që kapital të pashtershëm e kishin luftën. Në të dytën ishin do politikanë tjerë, më larg fshatarësisë së varfër, e që kapital të pashtershëm e kishin paqen. Por, këto dy kapitale politike që shërbyen si motorë për gjenerimin e ligjërimeve dominuese të pasluftës megjithatë u shterën. Dhe kështu, politikanët e të dyja tufave u ekspozuan për atë që ishin: pjesë tufe dhe thjesht rastësorë. Në këtë ndodhi, aty ‘qëlloi’ Albin Kurti – një politikan profesionist, pra jorastësor. Ai e bëri politikën tamam profesion, ngjashëm me aktrimin, dhe e bëri punë të pagueshme me para e mundësi atë të aktivistit (të cilët, (shumica, të paktën) në të vërtetë janë simpatizantë).
Përgjatë këtyre dhjetë viteve, i kisha dy përshtypje krejt të kundërta me ato të shumicës e që i kam shprehur shpesh: 1) Hashim Thaçi ani pse pa ndonjë ideal s’ishte kurrfarë politikani, domethënë krejt i pashkathtë e krejt i parashikueshëm në çdo lëvizje; 2) Albin Kurti s’ishte idealist qorr, domethënë ishte krejt i shkathtë për çfarëdo kompromisi, për ndryshim radikal qëndrimesh – gjë që e bënte edhe të paparashikueshëm.
Thaçi me Kurtin janë tamam si nata me ditën. Thaçi ishte politikani dominues i ligjërimit dominues (pas 2008-s) në Kosovë. Me një kapital të begatë si lufta. E Kurti s’ishte e s’kishte asgjë. Kjo ishte e vërteta qe sa e sa kohë që po ekspozohet me forcë sot. Por përtej kësaj shfaqje teatri, me personazhe, emra, etj, qëndron ajo që tamam na e ndërron fatin: politika.
Në demokracitë përfaqësuese, si kjo e Kosovës, politikanët e zgjedhur prej popullit përfaqësojnë popullin. Por, kjo pritet të marrë fund përmbajtësisht: në vend se politikanët të përfaqësojnë popullin, tashmë do të jetë populli që do të ketë barrën e përfaqësimit në një ndryshim të beftë paradigmatik.
Është diçka e ngjashme me artin, në përgjithësi. Dikur, arti bartte një natyrë përfaqësimore. Por, prej gjysmës së dytë të shekullit XIX, arti dalëngadalë u çlirua prej përfaqësimit, dhe në formë konfrontuese e barti atë barrë te vetë spektatori që haste atë vepër.
Siç thoshte surrealisti Wolfgang Paalen: “Pikturat nuk përfaqësojnë më… sot është bërë roli i pikturës ta këqyr spektatorin dhe ta pyes: ti çka përfaqëson?”
Këndej e tutje, mendoj se pyetja “ti çka përfaqëson?” nuk do të rëndojë mbi politikanët kryesorë, pra liderët. Populli do t’i nënshtrohet lehtas e ngadalë një ekzaminimi të mirëfilltë për mjerimin në të cilin ndodhet. “Ti kush je? Çka bën? Pse mendon ashtu siç mendon? Pse je i pakualifikuar për punë? Pse nuk ke kurrfarë zanati? Pse je në mjerim?”
Vetëvendosje me Kurtin nuk kanë ngurruar që ta përdorin termin popull gjatë gjithë kohës sa ishin në opozitë. Populli u përshkrua si “i mirë,” e “fisnik,” e “bujar”. Por çka do të ndodh tash e tutje, me ardhjen e Kurtit në pushtet? Në fakt, populli për shumicën e populistëve nuk përbën asnjëherë tërësinë e njerëzve që përbëjnë atë popull. Nuk përbën madje as tërësinë e zgjedhësve të partisë/liderit. Populli është thjesht një ide e pambushur me mish e eshtra, por me një farë “fisnikërie” e “bujarie”. Jo çdokush mund të jetë pjesë e “popullit”. Madje, ndoshta ndoshta askush nuk është/mund të jetë pjesë e tij. Dhe këtu është momenti kur barra e përfaqësimit, e e politikës në përgjithësi, bie mbi “popullin” e mbushur me mish e eshtra, me njerëz. Kur populli i njëmendtë duhet ta përthekojë në një masë të kënaqshme për pushtetin idenë që ai pushtet ka për popullin. Kështu në fakt ndodh edhe në shtetet më liberale, me nga pesëqind milionë ndalesa ligjore – që shtohen e shtohen përditë, aq sa dalëngadalë por pashmangshëm zhveshin qytetarin nga humaniteti i tij. Kjo është arsyeja bazike pse Peter Handke (sipas vetë Handkes) adhuronte serbët – si një popull i panënshtrueshëm ndaj atyre pesëqind milionë ndalesave ligjore e normave morale.
Në mënyrë të vagullt kjo është parë te qeverisja e Edi Ramës në Shqipëri. Pak më të qartë te Aleksandër Vuçiqi në Serbi. Por, çështja pritet të marrë një qartësi rrënjësore në Kosovë ku popullariteti i Kurtit do të bie si rëndesë e papërballueshme pikërisht mbi popullin e pagdhendur e pakualifikuar.
Natyrisht, është naive të mendohet se problemi kryesor i qeverishmërisë së deritashme në Kosovë qëndronte te disa njerëz të pushtetshëm djallëzorë e të korruptuar që duke qenë të tillë e djallëzuan dhe korruptuan krejt shoqërinë. Në të vërtetë ne mund ta shohim se trysnia për korrupsion e djallëzi niset shpesh nga “poshtë”. Së fundi i kishim disa kryetarë degësh të LDK-së që e kritikuan kryeministrin Hoti që nuk kishte bërë “punësime” të kuadrove të partisë në Qeveri. E kur kjo ndodh në këto nivele, nuk duhet shumë imagjinatë për ta kuptuar se çka ndodh edhe më poshtë.
Kurti veçse e nisi këtë luftë me popullin dhe e shfaqi zbehtë në ekspozenë e tij si kryeministër në Kuvend kur u zotua për “luftë ndaj korrupsionit të shoqërisë” dhe më pas kur në një status në Facebook po si kryeministër denoncoi “akademikët” në thonjëza që merrnin diploma universitare por jo edhe dije dhe zanat.
Ky konfrontim është i domosdoshëm që ndryshimi të jetë i përnjëmendtë.