Biskota në formë ylli me kanellë

Biskota në formë ylli me kanellë

Përbërësit: 3 të bardha veze, 250 gr sheqer pluhur, pak kripë, 2 lugë çaji kanellë, pak liker bajamesh (jo patjetër, mund t’i vini dhe liker portokalli ose aromë bajamesh, aromë rumi ose asgjë, nëse nuk keni asnjë nga këto),1 luge gjelle lëkurë të grirë portokalli,350-400 gr miell bajamesh ose gjysmë për gjysmë, përzier me lajthi. Mua më pëlqen e perzier me lajthi (masa e dhënë në recetë varet dhe nga madhësia e vezëve ndaj mos i vini të gjithe miellin e bajameve menjëherë, shikoni sa do ju marrë që të përftoni një brum të fortë dhe jo shumë ngjitës).

Përgatitja: Lyejmë një tavë me pak yndyrë dhe mbi të vëm letrën e pjekjes. Furrën e ngrohim në 150 gradë. Rrahim të bardhat e vezëve me pak kripë derisa të perftojmë një marengë të fortë. Duke vazhduar rrahjen shtojmë sheqerin pluhur pak nga pak, jo të gjithin njëherësh. Heqim mënjanë rreth 4 lugë gjelle nga marenga e ëmbël. Kjo do na duhet për pjesën e sipërme të biskotave. Tek pjesa tjetër e marengës shtojmë miellin e bajameve ose miellin e bajameve të përzier me lajthi (200 gr bajame+200 gr lajthi) jo të gjithin njëherësh, lëkurën e portokallit, kanellën, likerin.
Pasi kemi përftuar një brum të fortë, e hapim në tavolinë me ndihmën e një petëzi të cilin e lyejmë me sheqer pluhur dhe tavolinen e punës po ashtu që të parandalojmë ngjitjen e brumit. Brumin e hapni rreth 6-7 mm të trashë. Formën yll e fusim me parë në sheqer pluhur pastaj i presim format një nga një. Unë përdora dy forma të madhësive të ndryshme.
I vini në tavën e përgatitur për pjekje. Me një thikë merrni pak marenge dhe e hapni me kujdes mbi gjithë sipërfaqen dhe i lini të thahen në temperaturë ambjenti. I vini për të pjekur rreth 12-15 minuta edhe kjo varet nga soba juaj, mund t’iu zgjasë edhe pak më shumë, shiheni me sy. Biskotat nuk duhet të errësohen, pjesa e sipërme duhet të ngelet e bardhë dhe poshtë ngelen të buta po njëkohësisht janë të pjekura. I lini të ftohen rreth 20 minuta dhe mund t’i përdorni menjëherë.  I ruani në një kuti hermetike, qëndrojnë të buta rreth 2 javë.

Shpërndaje në: