A mund t’ia dalim vetë?

A mund t’ia dalim vetë?

A mund të dalim nga kriza vetë pa mbështetje nga jashtë?

Po e shtroj këtë pyetje sepse gjithnjë e më shpesh te ne po shfaqet një disponim që favorizon vetëmjaftueshmërinë, idenë se ne, para së gjithash, duhet të mbështetemi në forcat tona. Ky disponim është refleksiv vjen si pasojë e zhgënjimeve me ngadalësimin e procesit të njohjes universale të pavarësisë së Kosovës. Ngadalësimi tani është bërë edhe më shqetësues sepse ka hyrë në një fazë vendnumëro, që zbeh pandalshëm mbetjet e fundit të shpresës dhe entuziazmit të vitin 2008  përmblidhejnë thirrjen e famshme drejtuar dëshmorit legjendar Adem Jashari: “Bac, u krye!”

Sot, në mjegull, dëgjohet thirrja e ironizuar: “Bac, humbëm rrugën në oborr!”

Në mjegullën e vendnumërimit humbet besimi nëaleatët. Në ata që na shpëtuan gjatë luftës, e që pastaj, në çastet kritike të paqes së mbikëqyrur, e çanë shtegun e pavarësimit i cili, zakonisht për vendet e vogla nuk hapet lehtë dhe shpejt. Ne sikur nuk e kemi kuptuar çfarë urate e jashtëzakonshme kanë qenë fjalët e presidentit Xhorxh Bush i riu: “Enough is enough, Kosovo is independent!”.

Për ne “Boll më! Kosova është e pavarur!” ka qenë një konstatim i pritur dhe normal i thënë me zemërim çfarë ka qenë edhe zemërimi i ynë me UNMIK-un dhe pushtetin paralel që kishte organizuar Serbia në Veri të Mitrovicës dhe në enklavat serbe në brendi të Kosovës.

Mirëpo, presidentin Bush nuk e kanë kuptuar si ne gjysma e botës me prirje rivalizuese dhe antiamerikane, sepse në OKB dhe në disa instanca me ndikim të madh nuk konsiderohej e zakonshme shpallja e “njëanshme” e pavarësisë të një territori që ka qenë pjesë e shtetit sovran, anëtar i OKB-së.

Fakti që Serbia ishte akuzuar si agresore dhe fajtore për masakra dhe dëbime masive të popullsisë shqiptare si politikë e papranueshme gjenocidale ndaj pjesës së qytetarëve të vetë,- meçka edhe është motivuar intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë, nuk ka qenë e mjaftueshme që t’i bind shumë shtete anëtare të OKB ta miratojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës.Arsyeja e tyre për refuzim ka qenë edhe fakti se këto shtete mosbindëse kanë probleme me kërkesat secesioniste të minoriteve që jetojnë në pjesët e territoreve të tyre. Ato duan të shkëputen sepse mbahen me dhunë në emër të mbrojtjes së sovranitetit.

Rasti i Kosovës andaj shihej si precedent i rrezikshëm i cili, nëse do të legalizohej në praktikën ndërkombëtare, do të shkaktonte rebelime dhe copëtime zinxhirore të shumë shteteve sovrane, andaj edhe u alarmua, dhe kjo bëhet edhe sot, se modeli i Kosovës rrezikon kriza të shumta dhe një kaos global.

Polarizimi i botës rreth çështjes së Kosovës është i madh. Nga njëra anë pjesa më e madhe e Perëndimit dhe vendeve anëtare të NATO-s, si dhe dhjetëra shtete aleate të Perëndimit, e kanë njohur Kosovën e pavarur si realitet të pakthyeshëm, ndërkaq kjo kundërshtohet nga disa blloqe të shteteve të tjera, para  gjithash nga Rusia dhe Kina, që ia mbajnë anën Serbisë.

Ky polarizim e ka ndihmuar Serbinë që ta mbajë gjallë kontestimin e pavarësisë së Kosovës dhe, falë Rusisë dhe Kinës, rolin aktiv të OKB-së dhe të Këshillit të Sigurimit, ku edhe më tej mbahen seancat e rregullta ku shqyrtohen zhvillimet në Kosovë edhe pas shpalljes së pavarësisë, që aktualizon vazhdimisht Rezolutën 1244 të vitit 1999 dhe UNMIK-un, edhe pse faktikisht është mision tejet i reduktuar në terren.

Neve UNMIK-u na duket sot si një fantom që artificialisht mbahet gjallë, por as SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca, që e kanë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit, nuk po mundën ta zhbëjnë këtëmision, sepse këtë nuk e lejon ende boshti i rendit botëror, realisht i stërvjetëruar, shpesh edhe jofunksional dhe bllokues, por që nuk mund të ndryshohet lehtë.

Polarizimi i botes rreth çështjes së Kosovës e ka kushtëzuar edhe atë pjesë të tregimit që për ne është më e dhimbshme, që edhe verdikti fatkeqësisht joobligues i GJND-së se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ka qenë shkelje e të drejtës ndërkombëtare, të mos ketë shumë peshë. Ne u detyruam që të hyjmë në dialog me Serbinë për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, të cilin dialog aleatët tanë në krye me SHBA-të, e kanë menduar se mund të funksionojë nëse çështja do t’i delegohej si detyrë ndërmjetësuese BE-së. Logjika e vendim ka qenë kjo:me që Kosova dhe Serbia mëtojnë anëtarësimin në BE, dhe BE-ja në samitin e Selanikut (2003) u deklarua se rajonin e Ballkanit e mirëpritet të bëhet pjesë e BE-së, le ta trajton BE-ja atë si një çështje të saj praktikisht të brendshme.

Bartja e përgjegjësisë nga KS të OKB-së te Brukseli ka qenë një manovër i Perëndimit që zgjidhja e kontestit të bëhet nën ombrellën e Brukselit, pasi që konsiderohej çështje vitale e sigurisë dhe të stabilitetin të Evropës. BE-ja është superfuqi ekonomike dhe politike dhe nëse Kosovën e bën çështje të brendshme, Rusia dhe Kina, pra as OKB, nuk do të mund të kontestonin më një rezultat pozitiv të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.

Kuptohet, mendësia strategjike e Perëndimit e ka ditur edhe në vitin 2010 se vendet e BE-së nuk janë unike në qëndrimin rreth pavarësisë së Kosovës, që 5 shtete anëtare të saj, madje edhe anëtare të NATO-s, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës që deri më sot nuk e kanë ndryshuar qëndrimin. Është ditur që ne fillim se kjo zvogëlon dukshëm mundësitë e BE-ja që të jetë efiçientë në detyrën që morri. Ashtu sikur që në OKB Serbia kishte aleate Rusinë dhe Kinën që bllokonin njohjen universale të Kosovës, Serbia në BE kishte 5 shtete aleate për kauzën e saj. Për shkak të tyre BE-ja do të mbajë deri edhe sot qëndrimin neutral për statusin e Kosovës, gjë që për shumë çështje e bllokon Kosovën dhe favorizon Serbinë.

Ky fakt nuk ka qenë arsye e vetme e dështimit të planit që të evitohet OKB-ja duke e bartur çështjen dhe dialogun në pallatet e Brukselit zyrtar?

Kur analizohet dështimi i dialogut te ne nuk merret parasysh një kontekst i rëndësishëm i asaj kohe, që i jepte shpresë planifikuesve strategjik se BE-ja, megjithatë, mund të ketë sukses me detyrën e zgjidhjes së çështjes së pavarësisë së Kosovës. Duhet të kujtohemi se në atë kohë BE-ja ka qenë e angazhuar në një proces të fuqizimit të kohezionit të saj si organizim kompleks, e përqendruar në rritje të kohezionit dhe te funksioneve të përbashkëta te supershteti, e fiksuar edhe në çështjen delikate të mënyrës së vendimmarrjeve, që është bazuar në konsensus të gjitha vendeve anëtare. BE-ja kishte planifikuar aprovimin e një Kushtetute, e quajtur Kushtetute i Lisabonit, që parashihje vendimmarrjet më efiente me shumicë tëkualifikuar të votave. Nëse do të aprovohej kjo kushtetutë 5 anëtaret e BE-së që nuk e njohin Kosovën, nuk do të mund të bllokonin BE-në që me shumicën e kualifikuar ta njeh Kosovë pasi që 22 anëtare e njihnin! Kushtetuta e Lisbonit është dashur të hyjë në fuqi në vitin 2014, por dështuan referendumet në disa shtete anëtare.

Kur dështoj skenari i shfrytëzimit të vendimeve jokoncensuale, çështja e dialogut që Brukseli e kishte filluar me mandatin e OKB-së, udhëheqjen strategjike, por joformale, të dialogut e morri Gjermania, madje personalisht vetë kancelarja Angela Merkel, me njëplan tjetër që aplikimi i anëtarësimit të Serbisë në BE të kushtëzohet me njohjen e ndërsjellë me Kosovën me kufijtë ekzistues të dy vendeve.

Në të vërtetë presion i drejtohej ndaj Serbisë, i thuhej se në momentin që hapej porti për anëtarësim, Serbia duhet ta njohë Kosovën pasi BE-ja nuk do më anëtarësim të vendeve që kanë konteste territoriale ose që nuk njihen mes vete.

Mirëpo, as ky ndryshim i skenarit nuk pati sukses, sepse në ndërkohë, BE-ja u ballafaqua me krizën e refugjatëve që e vërshuan nga Lindja dhe Afrika, dhe edhe disa faktor tjerë ndikuar në humbjen e plotë të vullneti të disa shteteve për zgjerimin e BE-së, që kryesisht godiste Ballkanin Perëndimor.

Në këto rrethana dialogu Kosovë-Serbi i cili deri në vitin 2013 arriti një marrëveshje premtuese, nuk pati më pastaj asnjë përparim substancial por vetëm ngecje, bllokada dhe dështime. Më dialogu edhe e humbi kuptimin, sidomos në Kosovë ku politikat populliste e shfrytëzonin dështimin e dialogut për manipulime të opinionin dhe si instrument për ardhje në pushtet. Marrëveshjet që i arrinte Qeveria, sidomos ajo e Asociacionit të komunave serbe por edhe demarkacioni me Malin e Zi, u shfrytëzuan për të minuar procesin e dialogut, duke paraqitur rezultatet e tij si tradhti e udhëheqësish së korruptuar dhe servile të Kosovës(para  gjithash Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa…) e njëkohësisht , sidomos lidhur me refuzimin e pakuptimtë të liberalizmit regjimit të vizave për Kosovën, edhe për uljes dhe humbje të kredibilitetit të BE-së (më pastaj edhe të ShBA-), sidomos pasi që diplomacia e Austrisë dhe negociatorja e BE-së Mogherini provuan inaugurimin e një rruge të shkurtuar të marrëveshjes Kosovë – Serbi të bazuar në idenë e shkëmbimit të territoreve, ku pjesët e Veriut të Kosovës do të këmbeheshin më pjesët e Luginës së Preshevës.

Kjo është shkurtimisht historia e dështimit të dialogut që krijoi platformën e diskreditimit të Perëndimit dhe fuqizimin e parullave bosh populliste se Kosova mund t’ia dalë vetë, pa miq ngatërrestar që dialogun na imponojnë me sherr për interesa të tyre meskine, të dëmshme për Kosovën. Kjo frymë e ka motivuar ish Kryeministrin Kurti që ta refuzojë takimin me delegacionin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë nëUashington, sepse ishte i bindur se atje do të detyrohet (siç!) ta pranojë hartën e Kosovës me thika të ngulura të copëtimit në te!

Kjo fryme është shfrytëzuar, jo vetëm nga Kurti, për nevojat e luftës së brendshme për pushtet duke diabolizuar dialogun me Serbinë si favorizim të Beogradi dhe presion joparimor ndaj Kosovës, që Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe të tjerët të portretizohen si tradhtar servilë e të paaftë, kurse liderët botëror të involvuar në shtytjen e dialogut, si figura meskine që nuk na duan të mirën, dhe se s’duhet t’i nënshtrohemi kërkesave mashtruese në konferencate Berlinit ose Parisit.

Në opinionin tonë këto procese nuk kanë mundur të mos sjellin dyshime në rolin e BE-së e më vonë edhe të administratës së Trampit dhe SHBA-ve. Në disa moment dyshimet shkonin në skajshmëri, dhe kjo reflektohej edhe në opinion. Nuk është se është tretur ndjenja falënderuese ndaj Perëndimit mbështetjen që kishim në vitet 1998-1999, ose  vitet 2008 (pavarësia) dhe 2010 (verdikti i GjND-së).

Por, nuk kuptohej fare pse detyroheshim vazhdimisht dhe me ngulm, ta mbanim gjallë dialogun me Serbinë edhe kur shihej ashiqare që Serbia atë e shndërroi nëmjet për të blerë kohën pa qenë aspak e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale. Në zgjedhjet që do të shpallen së shpejti, skena jonë politike hyn me këtë hendikep të madh të konfuzitetit me rolin që e kanë fuqitë e mëdha në dështimin e dialogut si dhe si do të duhej të sillemi në rrethanat e mosfitimit të asnjë favor të prekshëm nga dialogu.

A duhet ai të ndërpritet? A duhet të flasim me ShBA-në dhe BE-në me një gjuhë tjetër duke u mbajtur atyre leksione strategjike naive, përderisa elita jonë në të vërtetë nuk tregon gatishmëri që të flasë me një zë rreth çështjeve të interesave madhore?

A mund elitat tona politike të paktën të punojnë për hartimin e një platforme të përbashkët racionale dhe analitike në të gjitha aspektet rreth planit të ri të krijimit të një zone ekonomike rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas Marrëveshje së Uashingtonit të 4 shtatorit ka gjasa se do ta ketë mbështetjen edhe të administratës së re të Bidenit dhe të BE-së si një propozim më konkret, më i prekshëm për nga investimet dhe dobitë për çdo vend dhe për rajonin në tërësi. A munden si prova të atdhetarizmitAlbin Kurti, Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti dhe liderët tjerë të lënë anash zënkat për pushtetin e paqenë që u zgjat vetëm disa muaj, që të ulën dhe mirën vesh për gjërat që janë më rëndësi jetike për të gjithë ne?

Epilog vështirë i imagjinueshëm, por i domosdoshëm nëse kuptohet se po, ne duhet të jemi të dinjitetshëm dhe vetja jonë në bisedimet për fatin tonë, por edhe se i gjithë procesi nuk mund të na nxjerrë fitues apo me ndonjë të mirëseardhur duke u thirrur në ato krekosje dritëshkurtra, se jemi shtet sovran që mund t’ia dalim të vetëm, duke ua bërë “vetingun” interesave të miqve të dëshmuar që i kemi!

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Shpërndaje në: