Vetëvendosje e lexuar si sociologji II

Vetëvendosje e lexuar si sociologji II

Me kohë, vërehej se si VV mundohej që ngrehinën e indeve lidhëse me shoqërinë ta ngrejë mbi policitetin/politizimin e kërkesës për pavarësi, që në sytë e Lëvizjes jo vetëm që ishte kërkesë që po anashkalohej, por që edhe nëse realizohej, do të ishte gjysmake dhe në fakt zgjedhje kompromisi.

Për rrjedhojë ajo përqëndroi dhe parashtroi një fokus dhe interpretim radikal të periudhës së luftës dhe pasluftës, që kontestonte/refuzonte Rambujenë, duke e parë si prodhuese të 1244-shit; UNMIK-un e shihte si mision kolonizues (madje duke e konsideruar rastin e Kosovës të ngjashëm me atë të Algjerisë dhe duke kërkuar ta lëshonte Kosovën) si dhe duke vënë here-herë në theks edhe idenë e bashkimit kombëtar.

Tani është goxha e diksutueshme në përfaqësonin tëra këto eterin e bindjeve dhe besimeve të etnisë shqiptare në Kosovë. Shqiptarët donin pavarësi dhe jo diçka më pak, por që është e qartë se as nuk dinin e as nuk donin që politizimin e parashtrimeve në fjalë, ta përqëndronin kaq skajshmërisht. E mbi të gjitha VV kishte përballë vetes një traditë dhe mendësi të pamësuar në parashtrime ideore, kreative apo programatike, por që kapet fort pas individit. E mu në këtë pikë lideri i saj, akoma ishte larg popullaritetit të Ibrahim Rugovës, Hashim Thaçit e mbase edhe të Ramush Haradinajt. Këtu nuk mund të ngreshë fajtorë, pa rënë në grackën e njëanshmërisë e subjektivizmit, sepse duhet të zgjedhësh mes të quajturit të shqiptarëve fajtorë për vetëdijen e ulët politike, dhe konsiderimit të VV-së akohore/ahistorike.

Në anën tjetër mbetej goxha enigmatike nëse përnjëmend radikaliteti i kërkesave në fjalë përjetohej plotësisht edhe vetë brenda VV-së/krerëve të saj, apo më shumë ishte një kut përdorimi për kundërpeshim politik: le të ekzistojmë ne me këtë diskurs që kemi si gurë të mëdhenjë në njërën anë të peshorës, në mynyrë që pesha në anën tjetër të peshorës (Serbia, ndërkombëtarët dhe impotenca e negociatorëve tanë) të mos e plandosin kërkesën shqiptare për toke si flatër pule. Për rrjedhojë lindte paradoksi tjetër: radikaliteti në gjuhë vs metoda e zgjedhur e veprimeve. Pra në njërën anë VV kudo që mundej të ishte prezente shpërfaqte gjuhësisht kërkesat e saj radikalisht shqiptare, kurse në anën tjetër metoda e veprimeve përbënte një pashatje të tërë radikalitetit (gjysmë)militar 1999-2004, të krahut të luftës/pro luftës të dëshmuar përgjatë krejt pasluftës (për Mitrovicën më 1999-2000, dhe më vonë potuajse në pjesën më të madhe të Kosovës më 2004).

Në fakt kjo ishte një gjë e mirë meqë përbente një evoluim edhe të vetë një pjese të krahut të luftës kah metodat jo-militare (natyrisht këtu prap është determinante sociologjia meqë nuk mund të prisje nga Kurti, Konjufca, Dërguti etj. sjellje [gjysmë]militare në qytet); pra përbënte diçka maturese në kuptimin e theksimin të dallorit mes metodave militare që përfundonin deri edhe me eleminime kundërshtarësh etnik e politik por paradoksalisht edhe një pafuqi. Pafuqi sepse brendapërbrenda kontekstit provinienca (gjysmë)militare e krahut të luftës e pranonte sistemin e UNMIK-ut dhe kësodore përkdhelej edhe nga vetë ndërkombëtarët, ndërkaq që VV që s’ishte militare dhe që vinte nga provinienca (semi)urbane shihej si më radikalja. Kësodore VV gjuhësisht “fluturonte” në aludime, kërkesa e intepretime, kurse me metodat e saj, e rrjedhimisht edhe në fuqinë e saj, dilte diçka mes LDK-së dhe krahut militar të luftës (PDK e AAK).

Suma sumarum, lidhja mbase më e fuqishme imunitare me “popullin” mbetej mbajtja gjallë e një dromce të idealizmit nacional në një kontekst ku Serbia, kthimi masiv i serbëve e 1244-shi përbendëshin përditë të Zotit në çdo bulletin të lajmeve; ku kishe një klikë politike hajnash të besatuar me ndërkombëtarët; OJQ-shë që po bëheshin veçse operandë anglofonë si dhe pjestarëve shqiptarë që mynyrat e reja të jetesës po i mbivendosnin mbi politikjen (ose sipas modelit perëndimor, ose sipas modelit lindor/saudit).

Përgjigja në pyetjen e katërt, pra rreth asaj se sa mundi dhe sa po mundet kjo Lëvizje që gjatë rrugëtimit nga pika fillestare, t’i ruaj disa nga fondamentet e saj; e pyetje të ngjashme alepon poashtu në evokimin e disa momentumeve politike. Do ti veçoja tre: shpallja e pavarësisë me 2008, hyrja në sistem më 2010, dyzimi me një pjesë të FER-in më 2013, si dhe hyrja/dalja e Ilir Dedës.

Vazhdimi i diskursit të njejtë edhe pas shpalljes së pavarësisë nga ana e VV-së, madje edhe pas njohjes së saj nga shumë shtete përbën klimaksin e përpëlitjes së VV-së që popullin e projektuar në vetëdije/kokë t’ia begenisë vetes. Pra hendeku vazhdonte: populli u gëzua “me pak”, kurse VV donte “më shumë”. Shpallja e pavarësisë nisi të njihej ndërkombëtarisht, gjë që shkaktonte entuziazëm kurse VV e shihte krejt këtë me skepsë e pa shumë besim. Populli mbyll gojën para një koalicioni brenda nate të diktuar nga ndërkombëtarët (PDK + LDK), kurse VV vazhdoi të thirret në po atë popull. Natyrisht 2008-ta, e që e pasoi 10 shkurtin e dhunshëm dhe me viktima, përbën poashtu edhe zenitin e radikalizimit të VV-së edhe në veprime si dhe vendosjen e dallorit të qartë mes VV-së dhe dy krahëve të tjerë të luftës: PDK-së e AAK-së. Tani përfaqësues të idesë europiane ishin fshatarësia kurse nacionaliste gjysmëurbanët. Natyrisht në radikalizimin 2007-2010 piketim ishin UNMIK-u/klasa kleptokrate dhe degjëueshme politike dhe jo pakicat etnike, por tanimë etnicizmi e nacionalizmi shiheshin vetëm pjesë e strajcës së VV-së! Të ishe VV, nënkupotonte të të adresohej edhe ajo dozë etnicizmi e nacionalizmi e prirje për dhunë që fare mund të të mos karakterizonte.

Momenti i dytë politik është pranimi i sistemit postpavarësi me 2010, respektivisht vendosja për tu bërë pjesë e zgjedhjeve. Kjo pati qenë lëvizje jo e vogël nga parimet, sepse edhe hyrja fiks pas pesë vitesh lindte vend për dyshime mos gjithçka ka qenë e planifikuar që në fillim “pesë vite jashtë tjerat brenda”, por edhe ishte një shkundje goxha e madhe e mësimeve/shkollës që po kishte ndërtuar VV, e ku mbase më i buti ndër protagonistë të atyre mësimeve, Antonio Gramschi, parlamentin e sheh si institucion zbehës/gëlltitës të principeve dhe synimeve politike. Disi klimaksi i radikalizimit më 2007-2010 i shoqëruar me aq shumë mëshuarje për mospjesëmarrje në zgjedhje përballë pranimit të përnjehershëm edhe të sistemit edhe të zgjedhjeve, ta kujton “durimin e padurimtë” të Nancy-s. Një pritje durimtare për një të papritur që paksa pas qenë padurimtare. Kur këtu shtohet fakti që hyja e tyre në sistem/pranimi i zgjedhjeve u shoqërua edhe nga nisja më intenzive e negociatave me Serbinë situata erdhi u bë edhe më komplekse edhe për publikun edhe për vetë qëndrimet e VV-së.

Momenti i tretë është siç u cek, dyzimi me një pjesë (të madhe) të FER-it. Vazhdoj të jem besimtar i madh, se ky dyzim ka qenë më shumë destin i bashkëdyzimit të një brezi njerëzish të afërt në moshë, dhe i një provinience (asaj semiurbane) i ardhur nga zhgënjimi i përbashkët, sesa dyzim principesh, idealesh a konceptesh të mirëmenduara. E mbaj shumë mirë në mend Shpend Ahmetin, kur vetëm pak ditë para zgjedhjeve në të cilat realisht FER-it i’u vodhën goxha vota, pati deklaruar se me VV-në kanë dallime konceptuale dhe ideore. Ajo çfarë pasoi dihet: një mishërim aq i madh i VV-së me Ahmetin, deri në stadin e barasvlerësimit me Kurtin.

Momenti i katërt lidhet me hyrjen dhe më pas daljen e Ilir Dedës në Lëvizje. Nuk është puna tek rëndësia apo pesha e një inidividi, sa tek gadishmëria për ta pranuar dikë që tërë karrierën e tij politike, jo vetëm që nuk e ka sendërtuar në rezistencë a revoltë, por që për më tej ishte pjesë e të gjitha strukturave dhe mendësive antirezistencë dhe antirevoltë. Pra pranimi i tij në VV fliste më shumë për VV-në se sa për të. Pranimi i tij ishte pranim i dikujt pa atidutë politike dhe që është totalisht ahistorik. Nganjëherë nuk mjaftojnë as afria brezërore, e sociologjike e a zhgënjimi i përbashkët i akumuar për të bërë kurorë gjoja të lumtur politike. Dalja e tij nga VV, respektivisht çlirimi i mëtejmë i Lëvizjes nga elementi FER, është respekt për parimet dhe konsistencën dhe shpresë për moslajthitje të mëtejme konceptuale dhe orientimore të VV-së.

Shpërndaje në: