Domosdoshmëria e ndryshimit të qeverisjes në Kastriot

Domosdoshmëria e ndryshimit të qeverisjes në Kastriot

Kjo Komunë,  përveç se është e rrethuar me kodra hiri, dy termocentrale, deponin e mbeturinave në Mirash, deponin e metaleve radioaktive në Llazarevë si dhe lumi Sitnica që shpesh del nga shtrati dhe bartë toksifikimin në pjesë tjera, udhëhiqet nga kryetari Xhafer Gashi që vazhdon t’i neglizhoj këto probleme dhe ta shfrytëzoj atë buxhet të varfër komunal për klientelën e vet.

Nëse e shikojmë sot Komunën e Kastriotit nga jashtë, përveç ndotjes dhe ndotësve na bie në sy vetëm poligoni i shenjëtarisë “Katana” i kryetarit Gashi, që përbën edhe vendin e vetëm në Kastriot ku fidanet e mbjellura rriten. Këtu vërehet më së miri dallimi në përkujdesje mes pronës private dhe asaj publike. Ky dallim vërehet në përmasa të mëdha sepse i ashtuquajturi projekt më madhorë nën udhëheqjen e Xhafer Gashi ishte mbjellja e drunjve dekorativ e që po shihet se është një hedhje e parasë së qytetarëve, pasi që ata drunj pothuajse shumica janë tharë përveç disa pishave të cilat i përkasin biznesit të tij privat. Përkujdesja ndaj drunjve të cilët janë mbjellë me paranë publike dhe pishat të cilat janë mbjellë me paranë private, e tregon më së miri edhe gjendja aktuale të tyre. Përderisa ne si shoqëri nuk trajtojmë edhe pronën publike si atë privatë, nuk ka indikacione se do ecim përpara dhe zhvillohemi si shtet.

Nën udhëheqjen e Kryetarit Xhafer Gashi, numri i drejtorive u rrit nga 9 në 11 sa për ta mbajtur të heshtur partnerin e koalicionit LB-në, dhe më shumë se 70% të buxhetit komunal u nda për paga dhe mëditje të klientelës që punon në Komunë dhe institucione komunale, duke e rezervuar pjesën tjetër për projekte kapitale dhe subvencione tek klientela që banon në viset rurale. Sikur kjo shpërndarje nuk i del për ta mbajtur pushtetin, ky kryetari përzgjedhë më pas Drejtorët dhe pedagogët e shkollave fillore dhe të mesme përmes kushtit të vetëm që lidhet me besnikërinë partiake. Komuna e Kastriotit nuk dallon edhe shumë nga institucionet qendrore që udhëhiqen nga koalicioni PDK-LDK, ku merren parasysh vetëm përfitimet e individëve, dhe se mundësia e vetme që të punësohet një qytetarë është nëse jeni anëtarë apo përkrahës të AAK-së. Këto metoda të punësimit Xhafer Gashi po i përdorë edhe në biznesin privatë , ku shumë banorë po aludojnë se në raste punësimi në kompaninë e tij ata kushtëzohen të angazhohen për partinë e tij. Kryetari e shfrytëzon pushtetin e tij në një territor kaq të vogël, ku ka njerëz me nevoja të mëdha, për interesa të ngushta personale dhe kjo situatë përveç se është tragjike, është e dëmshme dhe e dhimbshme për qytetarët.

Nën udhëheqjen e Kryetarit Xhafer Gashi, Komuna e Kastriotit neglizhon në tërësi deponitë toksike dhe kodrat e hirit që rrethojnë qytetarët e Kastriotit, duke prodhuar kështu pacient që nuk gjejnë as shërbimet më elementare për nevojat e tyre. Këtu është me rëndësi të përmendet që fshatrat më të ekspozuara nga rreziqet shëndetësore nuk kanë fare ambulancë, dhe në rastet kur kanë, ato përveç se ofrojnë shërbime të kufizuara, kanë edhe orare të kufizuar pune. Deponia e mbeturinave në Mirash është duke paraqitur një rrezik të madh ambiental për gjithë banorët e komunës e në veçanti për disa fshatrat rreth saj. Gjendja është shumë e rëndë ngase niveli i ujërave në deponinë sanitare të këtij liqeni akumulues është duke u derdhur në lumit Sitnica. Kjo deponi ka mbete si një bombë ekologjike për fshatarët rreth saj. Kryetari i komunës edhe pse kishte premtuar se do të mbyllte qysh në vitin e parë të mandatit këtë deponi ende nuk ka ndërmarr asnjë iniciativë në këtë drejtim, ndoshta për arsye personale sepse kjo deponi është pronë e vëllait të deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu. Gjithsesi duke parë rrezikshmërinë për banorët në komunën e Kastriotit kërkojmë që kryetari Gashi të ketë parasysh se ai është zgjedhur nga qytetaret e Kastriotit dhe se duhet të mbrojë interesat e komunës dhe qytetarëve të Kastriotit karshi interesave të grupeve mafioze.

E ngjashme është situata edhe në deponinë e Llazarevës, e cila u vendos ilegalisht në vitin 2011 e që rrezikon jetën e qytetarit të këtij vendi si dhe të rrethinës. Edhe për kundër premtimeve të komunës së Kastriotit se do të ndërmerren hapa për heqjen e kësaj deponie vdekjeprurëse në këtë drejtim nuk ka asgjë konkrete. Sipas profesionistëve të kimisë toksikologjike, këto janë elementet apo materiet me potencial shumë të lart toksik dhe si të tilla janë shumë të rrezikshme sepse përbërja e këtyre elementeve rezultojnë me sëmundje të rënda kancerogjene. Po ashtu këto mbetje kimike janë shumë të rrezikshme sepse ato kontaminojnë ambientin përmes tokës dhe ujerave nëntokësore. Situata e kësaj deponije është e ngjashme me atë të deponisë së Mirashit, pasi që edhe këtu pronari ka lidhje familjare me Gani Thaçi-n , vëllain e presidentit të vendit dhe si e tillë çështja bëhet më e ndërlikuar duke pasur parasysh dobësinë e vartësve të komunës së Kastriotit për tu përballur dhe zgjedhur çështje ku aktorët janë të lidhur me krimin e organizuar.

Nën udhëheqjen e kryetarit Xhafer Gashi, edhe pse është aprovua rregullorja në kuvendin Komunal, ska pas asnjë investim gjatë mandatit qeverisës në transportin publik, stacionet e autobusëve në qytete janë në gjendje të tmerrueshme. Kemi vonesa të shumta të autobusëve të cilët nuk i përmbushin as për së afërmin kërkesat e qytetarëve, njëkohsishtë ka edhe mungesë të transportit nëpër disa fshatra. Komuna e Kastriotit si komuna më e afërt me kryeqytetin e Prishtinës, nuk ofron për qytetarët e saj transport të rregull publik, duke e kufizuar qarkullimin e qytetarëve vetëm deri në ora 21:00. Ende pra, në vitin 2016, në një komunë që është vetëm 15 minuta larg nga kryeqyteti, nuk ka transport publik pas orës 21:00.

Nën udhëheqjen e kryetarit Xhafer Gashi, Komuna e Kastriotit u ofron qytetarëve të saj vetëm tri parqe që më shumë prodhojnë dije të zakonshme për atë se çfarë nuk mund të jetë parku. Parqet ekzistuese dhe gjelbërimi në komunën e Kastriotit janë në një gjendje të tmerrshme, ku përgjatë këtij mandati tre vjeçarë nuk ka pasur asnjë investim të rëndësishëm në këtë drejtim. Ato përkundër mungesës së gjelbrimit janë shndërruar në vende të ndotura të mbushur me mbeturina të ndryshme ku qytetarë nuk kanë asnjë mundësi qoftë edhe për një pushim të shkurtër nga ecja aty. Prandaj mund të konstatohet lirshëm se gjelbërim në komunën e Kastriotit nuk ka fare dhe se mirëmbajtja e hapësirave në këto parqe keqpërdoret nga kryetari dhe KEK-u të paktën dy herë në vit kur këto dy palë keqpërdorin fëmijët për të mbjellur disa fidane në emër të luftës kundër ajërti të ndotur.

Pra, Komuna e Kastriotit, nën udhëheqjen e Kryetarit Xhafer Gashi më shumë se që ofron shërbime për qytetarët, i kufizon ato. Nga njëra anë kufizon buxhetin vetëm tek pjesa e mbështetësve të tij dhe nga ana tjetër kufizon të drejtën për shkollim, të drejtën për shëndetësi, të drejtën për lëvizje të lirë dhe së bashku me bordet e ndërmarrjeve që mbajnë përgjegjësi për ndotjen në këtë qytet, edhe të drejtën për ajër, rrjedhimisht të drejtën për jetë. Ky për qëllim nuk ka qytetarin dhe problemet e tij, por pushtetin dhe grupet e interesave të cilat i shpërblen edhe me tenderë dhe benificione te ndryshme ku ata pastaj si falënderim obligohen të kthejnë në vota për partinë e tij.

Ky kryetar, që për të keqën më të madhe në këtë Komunë, ajrin e ndotur, (për të cilin ende nuk ka matës në këtë Komunë) provoi ta nxjerrë veten shpëtimtarë nga fundi i vitit, përmes një ligji për të cilin kanë punuar të gjitha subjektet politike në nivelin lokal dhe atë qendrorë, duhet ta kuptojë që neglizhenca e tij e vazhdueshme nuk mund ta blejë besueshmërinë e qytetarëve për zbatimin e këtij ligji. Ky kryetarë duhet ta kuptoj që asnjë kryetarë që kufizon të drejtat bazike për jetë nuk e ka të gjatë pushtetin. Viti 2016, do duhej të jetë viti i fundit që Xhafer Gashi me 11 drejtoritë e tijë e përmbyllë si vit qeverisje, pasi që këtu nuk është pikënisje qytetari i Kastriotit po grupet e interesit.

Shpërndaje në: